
Tragjedia hekurudhore në Spanjë, Hoxha: Solidaritet me popullin spanjoll
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha shprehu sot ngushëllimet për familjet e viktimave si dhe solidaritetin me të lënduarit nga tragjedia në Spanjë, ku si pasojë e përplasjes së dy trenave humbën jetën 68 persona.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha shprehu sot ngushëllimet për familjet e viktimave si dhe solidaritetin me të lënduarit nga tragjedia në Spanjë, ku si pasojë e përplasjes së dy trenave humbën jetën 68 persona.
Hoxha u shpreh thellësisht i trishtuar nga lajmet e rënda dhe tronditëse që vijnë nga Spanja, duke theksuar se mendimet dhe ngushëllimet më të sinqerta janë me të gjithë ata që po përjetojnë dhimbjen e kësaj tragjedie.
“Jemi thellësisht të trishtuar nga lajmet e tmerrshme dhe tronditëse që vijnë nga Spanja. Për çdo familje që po vajton humbjen e një njeriu të dashur, për të gjithë të lënduarit dhe për këdo që po përjeton dhimbjen dhe tronditjen e kësaj tragjedie, mendimet dhe ngushëllimet tona më të sinqerta janë me ju. Sot, vajtojmë së bashku me Spanjën dhe me të gjithë miqtë tanë spanjollë”, u shpreh ai.
Hoxha theksoi se në këto çaste të vështira qëndron pranë popullit spanjoll me miqësi, dhembshuri dhe solidaritet të sinqertë.
Ai uroi shërim sa më të shpejtë për të lënduarit, si dhe forcë e ngushëllim për familjet që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur.
“Urojmë që të lënduarit të shërohen sa më shpejt dhe që ata që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur të gjejnë forcë dhe ngushëllim në këto çaste jashtëzakonisht të vështira”, u shpreh Hoxha.
Të paktën 68 persona kanë humbur jetën dhe rreth 50 të tjerë janë plagosur rëndë, pas përplasjes së dy trenave me shpejtësi të lartë në Spanjën qendrore, mëngjesin e sotëm.
Burimi ATSH


















