
Kurti: Glorifikimi i Mlladiçit tregon se Serbia ende nuk është përballur me të kaluarën
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Serbinë për glorifikimin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiç, duke e lidhur këtë me mungesën e përballjes me të kaluarën e luftërave në ish-Jugosllavi.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Serbinë për glorifikimin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiç, duke e lidhur këtë me mungesën e përballjes me të kaluarën e luftërave në ish-Jugosllavi.
Kurti këto deklarata i bëri sot në tryezën shkencore “Memorandumi i SANU: Roli i diskursit akademik serb në nxitjen e konflikteve dhe dhunës në ish-Jugosllavi”, të organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”.
Duke folur për Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, Kurti tha se, edhe katër dekada pas publikimit të tij, mbetet e rëndësishme të studiohet ndikimi që ky dokument pati në diskursin politik dhe shoqëror të Serbisë.
Sipas tij, në fund të viteve ’80 dhe gjatë viteve ’90, narrativat për rrezikimin e serbëve në Kosovë u përdorën si pjesë e mobilizimit politik, ndërsa pas tyre pasuan suprimimi i autonomisë së Kosovës, largimet e shqiptarëve nga institucionet, diskriminimi dhe represioni shtetëror.
Kurti tha se historia e ish-Jugosllavisë dëshmon se narrativat e prodhuara dhe të legjitimuara nga struktura politike e akademike mund të krijojnë një klimë ku diskriminimi normalizohet dhe dhuna pranohet si mjet politik.
Ai u ndal edhe te rasti i Ratko Mlladiçit, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, duke kritikuar pritjen e tij me nderime në Serbi pas vdekjes.
“Kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluarën, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime”, tha Kurti.
Ai vlerësoi se shoqëritë demokratike kanë nevojë për institucione akademike të pavarura, arkiva të hapura dhe debat shkencor të bazuar në fakte, në mënyrë që e kaluara të dokumentohet dhe të mos shtrembërohet.
Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës në Kosovë dhe ruajtjes së dëshmive për brezat e ardhshëm.
Në fund, ai tha se përgjegjësia e Kosovës është të dokumentojë me saktësi, të studiojë me seriozitet dhe ta mbrojë të vërtetën historike përmes fakteve.
/KosovaPress/



















