
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet kandidaturën e Ambasador Bekim Sejdiu për President të Republikës së Kosovës
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), duke ndjekur zhvillimet lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Republikës së Kosovës, shpreh mbështetjen e tij për kandidaturën e Ambasador Prof. Dr. Bekim Sejdiut për këtë detyrë të lartë shtetërore.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), duke ndjekur zhvillimet lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Republikës së Kosovës, shpreh mbështetjen e tij për kandidaturën e Ambasador Prof. Dr. Bekim Sejdiut për këtë detyrë të lartë shtetërore.
Ambasador Sejdiu është një diplomat, jurist dhe akademik i respektuar, me një karrierë të gjatë në shërbim të Kosovës. Ai ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, Ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Turqi, Konsull i Përgjithshëm në New York dhe profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Përvoja e tij shtetërore dhe ndërkombëtare, njohja e thellë e Kushtetutës dhe institucioneve, integriteti profesional dhe profili i tij jopartiak e bëjnë Ambasador Sejdiun një figurë të denjë për rolin kushtetues dhe unifikues të Presidentit të Republikës.
Bekim Sejdiu është gjithashtu një nga anëtarët themelues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë dhe të Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës, duke kontribuar ndër vite në promovimin e diplomacisë, dialogut dhe interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Duke respektuar plotësisht procesin kushtetues dhe kompetencat e Kuvendit të Kosovës, KASH fton forcat politike parlamentare ta konsiderojnë me seriozitet kandidaturën e tij dhe mundësinë e ndërtimit të një konsensusi sa më të gjerë rreth një figure që bashkon dhe përfaqëson me dinjitet shtetin e Kosovës.
KASH beson se Bekim Sejdiu, si një bir i denjë i Kosovës, me përvojën, integritetin dhe përkushtimin e tij ndaj vendit, do t’i bëjë nder popullit të Kosovës dhe institucionit të Presidentit të Republikës.



















