
Rama: Gjirokastra, nga bukuritë e fshehura pas harresës, në një prej destinacioneve më të vizituara
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga Gjirokastra, duke vënë në pah transformimin e qytetit dhe zhvillimin e tij si një nga destinacionet turistike më të rëndësishme në vend.

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës vijon të mbetet ndalesë e rëndësishme në hartën e udhëtimeve të turistëve vendas e të huaj në Shqipëri.
I shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO, ky qytet mbart një histori të pasur, arkitekturë unike dhe një atmosferë që të rikthen pas në kohë.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga Gjirokastra, duke vënë në pah transformimin e qytetit dhe zhvillimin e tij si një nga destinacionet turistike më të rëndësishme në vend.
Rama ka krahasuar Gjirokastrën e së kaluarës me qytetin që turistët vizitojnë sot, duke e cilësuar këtë ndryshim si një transformim që duket në çdo gur dhe në çdo rrugicë.
Në pamjet e publikuara, Rama sjellë në vëmendje gjendjen e dikurshme të qytetit dhe tregon ndryshimin e peizazhit urban të Gjirokastrës, përmes rijetëzimit të hapësirave historike.
Gjirokastrën e gjetëm me shumë nga bukuritë e saj të fshehura pas harresës dhe që sot, e transformuar, flet vetë, gur pas guri dhe rrugicë pas rrugice, si një nga destinacionet më të bukura e më të vizituara të Shqipërisë”, thekson kryeministri.
Gjirokastra tërheq vizitorë me autenticitetin e saj ku shtëpitë karakteristike prej guri, rrugicat e ngushta me kalldrëm dhe pamjet panoramike krijojnë një përvojë të veçantë për çdo turist.
Simboli më i njohur i qytetit është Kalaja e Gjirokastrës, e vendosur mbi një kodër që shkëputet lehtë nga Mali i Gjerë.
Ajo ngrihet në një pozicion strategjik vrojtimi, rreth 370 metra mbi nivelin e detit, duke ofruar një panoramë të gjerë mbi qytetin dhe zonat përreth.
Burimi ATSH



















