
Gonxhja: Ligji për të Drejtën e Autorit, mbron krijuesit shqiptarë
Sot në Kuvend u miratua Ligji për të Drejtën e Autorit.

Sot në Kuvend u miratua Ligji për të Drejtën e Autorit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi si një ligj shumë të rëndësishëm i cili e çon mbrojtjen e krijuesve shqiptarë drejt një standardi të ri. Ligji sjell rregulla konkrete për platformat online. YouTube, Facebook, TikTok dhe platformat e tjera do të duhet të marrin autorizim për përdorimin e veprave të mbrojtura dhe të reagojnë kur ka shkelje të së drejtës së autorit.
Platformat ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri pa pasur seli këtu, tashmë do u duhet të kenë një përfaqësues ligjor në vend. Për herë të parë, autorët shqiptarë do të kenë një adresë konkrete ku mund të kërkojnë zbatimin e të drejtave të tyre, këtu.
Ministri Gonxhja tha se përmes këtij ligji, forcohet edhe pozita e autorit në kontratë: ai do të ketë të drejtë të dijë si përdoret vepra e tij, çfarë të ardhurash gjeneron dhe të kërkojë rishikim të kontratës kur shpërblimi mund t’i duket i padrejtë.
“Hapim gjithashtu tregun e administrimit kolektiv, duke krijuar më shumë konkurrencë dhe më shumë zgjedhje për të gjithë autorët. Gjithashtu, riorganizojmë dhe fuqizojmë strukturën përgjegjëse për drejtorinë e të drejtës së autorit, këtu në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, me një strukturë të dedikuar për mbrojtjen e të drejtave të autorit në fushën digjitale dhe me 11 punonjës shtesë, kjo për të garantuar zbatimin real të këtyre kompetencave të reja që ky ligj i ri na jep”, u shpreh kreu i MTKS-së, Blendi Gonxhja.
Ministri shpjegoi se, Ligji për të Drejtën e Autorit mbron më mirë krijuesin shqiptar, vendos më shumë përgjegjësi mbi platformat dhe e përputh tashmë Shqipërinë me standardet evropiane.
Burimi ATSH


















