
Nushi: Të pavërteta lajmet për dorëheqje masive në polici
Shefi i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, Albert Nushi, në një deklaratë për mediet, tha sot se ditët e fundit, në rrjete sociale po publikohen lajme të rreme që synojnë të dëmtojnë imazhin e Policisë së Shtetit

Shefi i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, Albert Nushi, në një deklaratë për mediet, tha sot se ditët e fundit, në rrjete sociale po publikohen lajme të rreme që synojnë të dëmtojnë imazhin e Policisë së Shtetit, të cenojnë rendin dhe sigurinë, si dhe të vënë në dyshim respektimin e të drejtës për të protestuar në mënyrë paqësore.
Nushi tha se lidhur me pamjet e publikuara nga Rinasi, ku pretendohet se shtetas të huaj sillen në Shqipëri, për t’u mbajtur në burg, sqarojmë se këto pretendime janë të pavërteta.
Sipas tij, bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në qendrën e pritjes për emigrantët e paligjshëm.
Nushi nënvizoi gjithashtu se gjatë ditës së djeshme, disa mësuesve dhe pedagogëve u janë dërguar mesazhe në emër të Policisë së Shtetit, me përmbajtje intimiduese, ku pretendohet se ata janë filmuar nga Policia gjatë pjesëmarrjes në tubim dhe se do të kontaktohen për t’u komunikuar akuza.
Ai sqaroi se “këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te Policia”.
“Sigurojmë mësuesit dhe pedagogët se e drejta për t’u tubuar paqësisht është një e drejtë kushtetuese dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor ta respektojë dhe garantojë atë”, tha ai.
Sipas tij, në të gjitha njoftimet dhe daljet publike të përfaqësuesve të Policisë së Shtetit është bërë e qartë se kjo e drejtë respektohet dhe garantohet.
“Çdo pretendim i kundërt është i pavërtetë dhe dashakeq”, tha Nushi.
Gjithashtu, Nushi sqaroi se lajmet e publikuara për dorëheqje masive nga radhët e Policisë së Shtetit, janë të pavërteta.
“Po ashtu, sigurojmë qytetarët se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë ditëve të tubimit”, tha ai.
Nushi nënvizoi se “Policia e Shtetit është në shërbimin tuaj, në zbatim të ligjit, për garantimin e jetës, pronës dhe të drejtave tuaja. Ju bëjmë thirrje të mos bini pre e informacioneve të rreme që synojnë të cenojnë misionin ligjor të Policisë së Shtetit dhe besimin tuaj tek ajo”.
Marrë nga ATSH


















