Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ndau sot historinë e Artanit dhe Brunos, sipërmarrës që kanë zgjedhur të investojnë në Shqipëri përmes prodhimit të vajit të ullirit dhe verës.
Në pamjet e publikuara nga Koçiu, sipërmarrësit tregojnë për rrugëtimin e tyre dhe vendimin për t’u rikthyer në Shqipëri, duke investuar në ngritjen e një biznesi me standarde europiane.
Artan Balaj shprehet se kompania prodhon vaj ulliri të vlerësuar në konkurse ndërkombëtare, ku ka marrë më shumë se 20 medalje, ndërsa produktet eksportohen në tregje të Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai tregon se vendimi për t’u kthyer në Shqipëri lidhej edhe me dëshirën për të krijuar familjen dhe biznesin e tij në vend, pas eksperiencës profesionale në Itali.
“Duhet të rrija në Itali dhe të vazhdoja të isha punëtor apo duhet të bëja diçka në Shqipëri?”, shprehet ai, duke theksuar se zgjodhi të investojë në vendin e tij.
Sipërmarrja bashkëpunon me familje fermerësh në zonën e Vlorës, prej të cilëve siguron ullirin dhe më pas e përpunon për prodhimin e vajit.
Sipas sipërmarrësit, zhvillimi i turizmit në Shqipëri lidhet drejtpërdrejt edhe me rritjen e konsumit të produkteve vendase. Ai nënvizon se rikthimi i të rinjve dhe investimi i tyre në sipërmarrje mund të ndikojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë.
Ai u bën thirrje të rinjve që mendojnë të largohen të konsiderojnë mundësinë për të qëndruar dhe për të investuar në Shqipëri, duke theksuar se mundësitë për të ndërtuar një biznes ekzistojnë.
Në mesazhin e saj, Koçiu e cilëson historinë e Artanit dhe Brunos si një shembull që duhet treguar dhe mbështetur.
“E ardhmja është në Shqipëri”, shkruan Koçiu, duke venë theksin tek nxitjs e investimeve, sipërmarrjes dhe produkteve shqiptare.
“Bashkë për Shqipërinë 2030”, përfundon mesazhin e saj zëvendëskryeministrja.
Burimi ATSH

















