
Tatimet dhe doganat falën mbi 416 milionë euro detyrime e gjoba, përfituan mbi 165 mijë tatimpagues
Mbi 416 milionë euro detyrime tatimore e doganore janë falur deri më tani në kuadër të ligjit për faljen e detyrimeve, ndërsa nga kjo skemë kanë përfituar mbi 165 mijë tatimpagues dhe subjekte.

Mbi 416 milionë euro detyrime tatimore e doganore janë falur deri më tani në kuadër të ligjit për faljen e detyrimeve, ndërsa nga kjo skemë kanë përfituar mbi 165 mijë tatimpagues dhe subjekte.
Kështu deklaroi ministri i Financave, Petrit Malaj gjatë një komunikimi për mediet, ku bëri të ditur se nga falja pa kushte e detyrimeve doganore, të krijuara më shumë se 10 vjet më parë, kanë përfituar 264 operatorë ekonomikë, të cilëve u janë falur 505.4 milionë lekë.
“Nga falja pa kushte në Administratën Doganore kanë përfituar 264 operatorë ekonomikë, me një vlerë të falur prej 505.4 milionë lekësh. Ndërsa nga falja me kushte kanë përfituar 260 subjekte, të cilëve u janë falur 168.5 milionë lekë”, tha ministri.
Sa i përket Administratës Tatimore, Malaj u shpreh se nga falja pa kushte, për detyrimet e krijuara më shumë se 10 vjet më parë, kanë përfituar 121 630 tatimpagues, me një vlerë të falur prej 29.7 miliardë lekësh.
“Nga falja me kushte në Administratën Tatimore kanë përfituar 43 366 subjekte, me një vlerë të falur prej 8.6 miliardë lekësh”, theksoi ai.
Ministri rikujtoi se bizneset që kanë shlyer deri në fund të muajit qershor 50% të detyrimeve të krijuara për periudhën 2015–2019 kanë përfituar faljen e 50% të pjesës së mbetur të detyrimit, së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat.
“Për subjektet që do të kryejnë pagesat deri më 31 dhjetor 2026, do të aplikohet falja e 25% të detyrimit të mbetur, së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat”, sqaroi Malaj.
Ai shtoi se për detyrimet e krijuara në periudhën 1 janar 2020 – 31 dhjetor 2024, tatimpaguesit mund të përfitojnë faljen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që të shlyejnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026.
Sipas Ministrisë së Financave, skema synon të lehtësojë barrën financiare të bizneseve dhe tatimpaguesve, të nxisë formalizimin e ekonomisë dhe të krijojë mundësi për rikthimin e subjekteve në aktivitet të rregullt ekonomik.
Burimi ATSH



















