
Gogu: Hapet në Fushë-Krujë Zyra e Ndihmës Juridike Falas, shërbimi për mbi 51 mijë banorë
Në Fushë-Krujë është hapur Zyra e Ndihmës Juridike Falas, duke zgjeruar aksesin në këto shërbime për mbi 51 mijë banorët e bashkisë së Krujës.

Në Fushë-Krujë është hapur Zyra e Ndihmës Juridike Falas, duke zgjeruar aksesin në këto shërbime për mbi 51 mijë banorët e bashkisë së Krujës.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili theksoi se synimi është që shërbimi juridik të jetë i arritshëm për çdo qytetar, pavarësisht vendbanimit apo mundësive ekonomike.
“Një derë e re për ta sjellë drejtësinë më pranë njerëzve. Në Fushë-Krujë hapëm Zyrën e Ndihmës Juridike Falas, duke zgjeruar aksesin në këto shërbime për mbi 51 mijë banorët e Bashkisë Krujë”, u shpreh Gogu.
Ministri nënvizoi se prioritet është që drejtësia të mos mbetet vetëm një e drejtë e parashikuar në ligj, por të jetë e aksesueshme në praktikë për të gjithë qytetarët.
Ai bëri të ditur se kjo është e para nga pesë zyrat e reja të Ndihmës Juridike Falas që Ministria e Drejtësisë ka planifikuar të hapë gjatë këtij viti.
Gogu falënderoi Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA) për mbështetjen në këtë nismë.
“Drejtësi më pranë njerëzve, më e arritshme për të gjithë”, theksoi ministri.
Burimi ATSH



















