Turizmi me ligj të ri, regjistrim në “e-Albania” për dhomat me qira, rregulla të reja për hotelet, udhërrëfyesit dhe agjencitë

Shqipëria pritet të ketë një kuadër të ri ligjor për zhvillimin dhe administrimin e turizmit


Shqipëria pritet të ketë një kuadër të ri ligjor për zhvillimin dhe administrimin e turizmit, përmes një projektligji që zëvendëson ligjin aktual “Për turizmin”, të ndryshuar, duke sjellë rregulla të reja për strukturat akomoduese, investimet, agjencitë turistike, administrimin e plazheve dhe mbrojtjen e vizitorëve.

Projektligji, i hartuar dhe i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, synon konsolidimin e legjislacionit ekzistues, përshtatjen e tij me zhvillimet e tregut dhe përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Një nga risitë kryesore është regjistrimi i detyrueshëm nëpërmjet platformës “e-Albania” i njësive akomoduese për qëndrime afatshkurtra, si apartamente, vila dhe dhoma që jepen me qira, të cilat do të pajisen me kod unik identifikimi.

Ndryshime parashikohen edhe në kategorizimin dhe klasifikimin e strukturave akomoduese. Certifikata e kategorizimit do të jetë pa afat, për sa kohë plotësohen kriteret ligjore, ndërsa ajo e klasifikimit do të ketë vlefshmëri tetëvjeçare, me të drejtë rinovimi. Projektligji njeh gjithashtu forma të reja akomodimi, si hotelet e shpërndara, resortet mikse dhe strukturat e menaxhuara.

Në fushën e investimeve parashikohen forma partneriteti publik-privat, vënia në dispozicion e pasurive shtetërore dhe mbështetja me infrastrukturë e zonave me përparësi turizmin. Përcaktohen edhe kriteret për përfitimin e statusit të veçantë për investimet në struktura akomoduese me katër ose pesë yje.

Projektligji zgjeron rolin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në promovimin dhe organizimin e aktiviteteve turistike, ndërsa Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të ketë përgjegjësi për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare dhe monitorimin e plazheve. Për stacionet e plazhit përcaktohen detyrime për sigurinë, higjienën, cilësinë e shërbimeve dhe garantimin e aksesit publik.

Një tjetër masë është pezullimi sezonal i punimeve të ndërtimit në zonat turistike, me synim mbrojtjen e sezonit dhe përmirësimin e përvojës së vizitorëve. Rregulla të reja parashikohen edhe për udhërrëfyesit turistikë, agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë dhe transportin turistik, përfshirë shërbimet panoramike “Open Bus” dhe “Hop-on Hop-off”.

Në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve, projektligji parashikon ngritjen e Zyrës për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve, pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin, për trajtimin jashtëgjyqësor të konflikteve ndërmjet turistëve dhe subjekteve që ofrojnë shërbime turistike.

Në fushën e digjitalizimit parashikohet krijimi i Sistemit të të Dhënave në Turizëm, ku do të përfshihen Regjistri Qendror i Turizmit, Regjistri Kombëtar i Burimeve Turistike dhe moduli elektronik “e-Visitor”. Për ngritjen e platformës është propozuar një financim prej 300 milionë lekësh në kuadër të programimit buxhetor për vitin 2027.

Projektligji parashikon gjithashtu rregulla për regjistrimin dhe mirëmbajtjen e shtigjeve turistike, si dhe ngritjen e Komisionit Kombëtar të Shtigjeve Turistike, me synim zhvillimin e turizmit të natyrës dhe rritjen e sigurisë së vizitorëve.

Nisma synon përafrimin me legjislacionin e BE-së për shërbimet dhe paketat e udhëtimit, si dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të CEFTA-s.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri do të shfuqizohet ligji aktual nr. 93/2015 “Për turizmin”, i ndryshuar. Aktet nënligjore për zbatimin e tij parashikohet të miratohen brenda nëntë muajve, ndërsa ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Begaj dekreton 9 majin 2027 për zgjedhjet vendore

Presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Global 360

Zgjedhjet në Serbi, Kamberi: Dy mandate për shqiptarët, në garë për të tretin

Shaip Kamberi ka bërë të ditur se Koalicioni Shqiptar ka fituar në zgjedhje e 27.230 vota sipas rezultateve preliminare pas…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Begaj dekreton 9 majin 2027 për zgjedhjet vendore

Presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.