
Malaj për Paketën Fiskale 2027: Nuk ka rritje taksash, por rishpërndarje më të drejtë e të ardhurave
Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi sot në Komisionin e Ekonomisë edhe ndryshimet në Paketën Fiskale 2027.

Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi sot në Komisionin e Ekonomisë edhe ndryshimet në Paketën Fiskale 2027.
Malaj nënvizoi se “ndryshimet e propozuara do të jenë me efekt neutral, pasi parimi mbi të cilin e kemi bazuar këtë Paketë Fiskale është rishpërndarje e të ardhurave, duke siguruar mbrojtjen e kategorive më në nevojë dhe duke mbështetur shtresën e mesme”.
Në reagim edhe të qëndrimeve të ndryshme se Paketa Fiskale sjell më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit, po rriten taksat, Malaj deklaroi se “nuk kemi një rritje të taksave, por një rishpërndarje të taksave”.
“Rritja e tatimit mbi dividentin dhe paratë që vijnë nga kjo rritje, do të kalojnë dhe do të shpërndahen te rritja e fashës së pagës, të cilën e kemi kaluar nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Që do të thotë, këto para që ne marrim nga dividenti do të shkojnë si të ardhura shtesë për shtresën e mesme të shoqërisë”, shpjegoi ministri.
Kreu i financave në vend, pohoi se “politika e TVSH-së që ndjekim, pra ulja ose reduktimi i TVSH-së për produktet bazë, nga 20% në 6 %, është një kosto më e madhe buxhetore se sa rritja e të ardhurave që marrim nga rritja e TVSH-së nga 20% në 21 %”.
Sipas tij, “gropa që krijohet është rreth 20 milionë euro, e cila plotësohet me uljen e fashës nga 10 milionë në 5 milionë dhe kjo ulje e kësaj fashe vjen si kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare, edhe FMN-së”.
Shqipëria sot që flasim ka fashën më të lartë të regjistrimit për TVSH. Nuk ka asnjë vend në Ballkan, por edhe pjesa më e madhe e vendeve të BE-së e kanë fashën për regjistrimin e TVSH-së shumë më të ulët se sa 10 milionë që ne e kemi aktualisht dhe tavani 5 milionë që kemi vendosur është tavan, i cili është rekomanduar nga institucionet ndërkombëtare. Gjithashtu, edhe heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet dhe kalimi te mjetet motorike, krijon gjithashtu një minus në buxhetin e shtetit, minus i cili po ashtu përballohet nga këto rishpërndarje të ardhurash që ne bëjmë. Sepse, nuk kemi reflektuar të gjithë gjithë atë të ardhur që ne realizonim nga 27-lekëshi kur ishte te karburantet në atë që kemi transferuar te taksat vjetore të mjeteve, dhe minusi në këtë rast është rreth 5 miliardë lekë apo 50 milionë euro”, deklaroi Malaj.
Ministri shtoi se “nëse do t’i mbledhim dhe do t’i zbresim të gjitha këto politika njëra me tjetrën efekti është zero ose minus 300 milionë lekë për buxhetin e shtetit. E vetmja e ardhur shtesë që vjen në buxhetin e shtetit si pasojë e kësaj pakete fiskale, është akciza nga duhani që është rritur në linjë me kërkesat e BE, sepse do të duhet të harmonizojmë nivelet e akcizave me të njëjtat nivele që ka dhe BE”.
Burimi ATSH



















