
Rama: Debat për kufizimin e aksesit të të miturve 16 apo 18 vjeç në rrjetet sociale, konsultime me prindër e mësues
Kryeministri Edi Rama deklaroi se duhet të nisë një debat i gjerë për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale, duke theksuar se ndikimi i hapësirës virtuale dhe ekspozimi ndaj modeleve të dhunshme kërkojnë një qasje të përbashkët nga institucionet, prindërit dhe shkollat.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se duhet të nisë një debat i gjerë për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale, duke theksuar se ndikimi i hapësirës virtuale dhe ekspozimi ndaj modeleve të dhunshme kërkojnë një qasje të përbashkët nga institucionet, prindërit dhe shkollat.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama u shpreh se duhet diskutuar se si dhe në çfarë moshe duhet të vendosen kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale dhe hapjen e llogarive personale nga të miturit.
“Duhet hapur debat se si dhe kur duhet të kufizojmë aksesin në rrjetet sociale të të miturve. Deri në cilin kufi moshe 16 apo 18 vjec, në mënyrë që të mos kenë më mundësinë të krijojnë llogari individuale në rrjetet sociale.”, u shpreh Rama, duke njoftuar se për këtë çështje do të zhvillohen konsultime me prindërit dhe mësuesit në të gjitha shkollat.
“Ne do të nisim konsultimet për këtë çështje, duke filluar diskutimin me mësuesit dhe prindërit në të gjitha shkollat, për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit. Ky është tashmë një trend që po identifikohet në një sërë vendesh demokratike”, theksoi ai.
Rama kërkoi gjithashtu zgjerimin e aktiviteteve sociale dhe kulturore për fëmijët, përtej angazhimit të tyre në sport. Sipas tij, institucionet duhet të krijojnë më shumë mundësi që të miturit të përfshihen në veprimtari artistike dhe kulturore.
“Një tjetër çështje shumë e rëndësishme është puna që duhet të bëjmë së bashku, institucionet dhe shoqëria civile e interesuar për këtë fushë, për të zgjeruar gamën e aktiviteteve të fëmijëve dhe aktivitetet e tyre sociale. Këto aktivitete duhet të shtrihen nga sporti te kultura, duke përfshirë të gjitha fushat që lidhen me skenën, pikturën, zejen, artin, filmin, fotografinë e shumë të tjera”, u shpreh Rama.
Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se nga viti i ardhshëm shkollor synohet zbatimi i qëndrimit të zgjatur të fëmijëve në shkollë, me një buxhet të dedikuar.
Sipas tij, kjo do t’u mundësojë prindërve të vijojnë punën, ndërsa fëmijët të qëndrojnë në një mjedis të organizuar dhe të mbikëqyrur gjatë pesë ditëve të javës.
“Duhet të krijojmë kushte që fëmijët të kenë një ditë më të organizuar, me më shumë aktivitete dhe mundësi për të mësuar e për t’u zhvilluar edhe pas përfundimit të mësimit”, tha ai.
Rama u ndal edhe te klima e debatit publik dhe rastet kur individët ndihen të kërcënuar apo të intim iduar për shkak të qëndrimeve të tyre.
Ai theksoi se askush nuk duhet të pengohet të shprehë mendimin e vet apo të bëhet objekt presioni për shkak të bindjeve që ka.
“Unë nuk e kam menduar ndonjëherë që do ta jetoja në të përditshmen time në një Shqipëri ku frika për folur do të ushqehej nga intimidimi i atyre që protestojnë për ta bërë Shqipërinë më të mire”, tha Rama.
Do të thotë, shtoi kreu i qeverisë, “unë protestoj për ta bërë Shqipërinë më të mirë, dhe nëse ti nuk je dakord me mua, unë të intimidoj, të kërcënoj, të futem në shtëpi me telefon dhe të vendos përpara një zgjedhjeje dramatike. Ose je me mua dhe, në rastin më të mirë, nuk shfaqesh kundër meje, ose bëhesh target i dhunës sime”.
Rama theksoi se ka marrë dhjetëra mesazhe nga studentë që luten të mbeten anonim sepse kanë frikë si dhe nga prindër që ndjhen të pafuqishëm ndja fmëijëve të tyre të kërcënuar me një gjuhë kriminale.
Kryeministri ftoi pjesëmarrësit që diskutimi të vijojë edhe në muajt e ardhshëm, duke kërkuar që institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile të kontribuojnë në hartimin e një qasjeje të përbashkët për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.
Marrë nga ATSH


















