
Deputetët e rinj të Kuvendit, vizitë studimore në Parlamentin Evropian
Klubi Parlamentar për të Rinjtë, së bashku me 10 deputetë të rinj të Kuvendit zhvilloi një vizitë studimore treditore në Parlamentin Evropian, në kuadër të Programit për Liderët e Rinj Politikë (Young Political Leaders – YPL) për Ballkanin Perëndimor.

Klubi Parlamentar për të Rinjtë, së bashku me 10 deputetë të rinj të Kuvendit zhvilloi një vizitë studimore treditore në Parlamentin Evropian, në kuadër të Programit për Liderët e Rinj Politikë (Young Political Leaders – YPL) për Ballkanin Perëndimor.
Vizita, e zhvilluar në datat 29 qershor – 1 korrik me ftesë të Parlamentit Evropian, kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian, krijimin e një platforme dialogu për deputetët e rinj, promovimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe shkëmbimin e përvojave mbi praktikat më të mira parlamentare.
Delegacioni u drejtua nga kryetarja e Klubit Parlamentar për të Rinjtë, Kiduina Zaka, ndërsa programi u organizua nga Grupi Koordinues për Mbështetjen e Demokracisë dhe Zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.
Gjatë vizitës, deputetët morën pjesë në sesione pune, diskutime tematike dhe ushtrime praktike mbi proceset vendimmarrëse të Parlamentit Evropian. Ata zhvilluan gjithashtu takime me eurodeputetë dhe përfaqësues të këtij institucioni, mes të cilëve Marco Tarquinio, kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, Konstantinos Arvanitis, raportues për çështjet e sundimit të ligjit, Andreas Schieder, raportues për Shqipërinë në Komisionin për Punët e Jashtme, si dhe Lukas Mandl, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor në fushën e mbështetjes së demokracisë.
Diskutimet u fokusuan në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, zbatimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sfidat që shoqërojnë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Një pjesë e rëndësishme e programit iu kushtua simulimit të proceseve legjislative dhe negociuese të Parlamentit Evropian, ku deputetët e rinj u angazhuan në ushtrime praktike për ndërtimin e konsensusit mbi iniciativa parlamentare, duke u njohur nga afër me kulturën e dialogut, kompromisit dhe bashkëpunimit politik që karakterizon institucionet evropiane.
Sipas njoftimit të Kuvendit, vizita përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të deputetëve të rinj, thellimin e bashkëpunimit me Parlamentin Evropian dhe mbështetjen e rolit të Kuvendit në avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Marrë nga ATSH



















