
McGrath: Konsumatorët shqiptarë, ashtu si në BE, meritojnë ushqime të sigurta dhe produkte cilësore
Komisioneri Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Shtetin e së Drejtës dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath, i është bashkuar fushatës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri për ndërgjegjësimin mbi të drejtat e konsumatorëve.

Komisioneri Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Shtetin e së Drejtës dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath, i është bashkuar fushatës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri për ndërgjegjësimin mbi të drejtat e konsumatorëve.
Përmes një mesazhi, McGrath theksoi se konsumatorët shqiptarë, njësoj si ata në vendet e Bashkimit Evropian, meritojnë ushqim të sigurt, produkte cilësore dhe trajtim të drejtë.
Ai nënvizoi rëndësinë e forcimit të rregullave për mbrojtjen e konsumatorit, duke u ndalur te siguria ushqimore, transparenca e çmimeve dhe e drejta për rimbursim ose zëvendësim në rastet kur produktet janë me defekt.
“Ashtu si konsumatorët në të gjithë Bashkimin Evropian, konsumatorët shqiptarë meritojnë ushqim të sigurt, produkte me cilësi të lartë dhe trajtim të drejtë. Ne e arrijmë këtë duke forcuar rregullat e mbrojtjes së konsumatorit si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Shqipëri.
“Në tryezat tona, ne duam ushqim që është testuar siç duhet. Në raftet e supermarketeve tona, ne duam çmime të qarta pa tarifa të fshehura, dhe kur diçka shkon keq, ne duam rimbursime ose zëvendësime nëse një produkt është me defekt”, tha ai.
Komisioneri Evropian theksoi gjithashtu se rregullat e Bashkimit Evropian do të kontribuojnë në mbrojtjen e trashëgimisë kulinare shqiptare, duke garantuar që produktet autentike vendase të mbrohen nga imitimet.
“Është e rëndësishme të theksohet se rregullat e BE-së do të respektojnë dhe ruajnë gjithashtu trashëgiminë krenare kulinare të Shqipërisë. Kjo do të sigurojë që ushqimet tuaja autentike vendore të mbrohen nga imitimet.
Jam shumë i lumtur që bashkohem me fushatën e ndërgjegjësimit për të drejtat e konsumatorit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri. Pres me padurim të shoh konsumatorët shqiptarë të gëzojnë të gjitha përfitimet e familjes evropiane”, tha ai.
Ndërkohë, Delegacioni i BE-së në Shqipëri bëri të ditur se në javët në vijim do të publikojë informacione praktike për të drejtat e konsumatorëve, duke përfshirë sigurinë ushqimore, blerjet online dhe shërbimet financiare.
“Nga siguria ushqimore te blerjet online dhe shërbimet financiare, në javët në vijim do të sjellim informacion praktik për të drejtat tuaja dhe çfarë duhet të kontrolloni përpara se të zgjidhni. Sepse rruga e Shqipërisë drejt BE-së nënkupton edhe më shumë mbrojtje në jetën e përditshme: ushqime më të sigurta, çmime të qarta dhe trajtim të drejtë për çdo konsumator. Shih me sy, vendos me mend”, njoftoi Delegacioni i BE.
Burimi ATSH


















