
Pirdeni: Ligji i ri sjell sistem të ri rekrutimi dhe kontrolli të performancës në administratë
Java e Administratës Publike, në edicionin e saj të tretë, kulmoi me një aktivitet që vendosi në qendër punonjësit e administratës dhe rolin e tyre në shërbimin ndaj qytetarëve.

Java e Administratës Publike, në edicionin e saj të tretë, kulmoi me një aktivitet që vendosi në qendër punonjësit e administratës dhe rolin e tyre në shërbimin ndaj qytetarëve.
Në aktivitetin e mbajtur me këtë rast, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni theksoi se kjo javë është një iniciativë e rëndësishme, e fokusuar te trupa e zyrtarëve të administratës publike që kanë zgjedhur t’i kushtojnë jetën e tyre shërbimit publik.
“Por ky është edhe një moment për të reflektuar mbi sfidat dhe problematikat, mbi atë çfarë administrata publike duhet të bëjë për t’iu përshtatur jo vetëm sfidave të kohës, por për të formësuar një sistem shtetformimi që përshtatet me standardet evropiane”, u shpreh Pirdeni.
Gjatë kësaj jave janë zhvilluar një sërë iniciativash, me synim afrimin me të gjithë aktorët që kontribuojnë në reformimin e administratës publike. Pirdeni bëri të ditur se java nisi me një takim me zyrat e karrierës në universitete, për të krijuar një lidhje më organike mes administratës dhe institucioneve të arsimit të lartë.
Po ashtu, është prezantuar një sistem i ri trajnimi dhe mirëseardhjeje për çdo punonjës të ri në administratën publike, me synim që hyrja në shërbimin publik të shoqërohet që në fillim me standarde integriteti dhe profesionalizmi.
“Gjatë kësaj jave celebrojmë shërbimin publik dhe të gjithë ata që përditë, me shumë përkushtim dhe devotshmëri, kontribuojnë në të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, tha Pirdeni.
Sipas Pirdenit, reforma në administratën publike nuk realizohet vetëm përmes dokumenteve, strategjive dhe ligjeve, por kërkon një vendim politik për ta konsideruar administratën publike si një aset kombëtar strategjik dhe për të rishpikur marrëdhënien mes administratës dhe qytetarit.
Pirdeni vlerësoi progresin e bërë gjatë dekadës së fundit në modernizimin e administratës publike, nga periferia deri në qendër. Ajo nënvizoi konsolidimin e sistemit të pagave dhe rritjen e tyre në të gjithë sistemin, duke i afruar me standardet e tregut privat, ndërsa në disa raste edhe duke i tejkaluar ato.
“Kjo është mundësuar falë rritjes ekonomike të vendit”, tha Pirdeni.
Përshtatja me digjitalizimin, sipas Pirdenit, ka qenë një nga pikat më të forta të pesëvjeçarit të fundit, jo vetëm për rritjen e efikasitetit të administratës, por edhe për adresimin e problematikave që mund të krijojnë hapësira për abuzim.
Ministrja Pirdeni theksoi se objektivi i Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian në vitin 2030 lidhet ngushtë me identitetin e shtetit dhe me ndërtimin e një administrate të konsoliduar, e cila adreson edhe problematikat që vazhdojnë të jenë objekt pakënaqësie për qytetarët.
Në fokus të punës së qeverisë, shtoi Pirdeni, ka qenë forcimi i digjitalizimit, kapaciteteve njerëzore dhe llogaridhënies. Në këtë drejtim, ajo vlerësoi miratimin në Kuvend të rishikimit të ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
Ligji parashikon një sistem të ri të kontrollit të performancës së institucioneve të varësisë, si dhe raporte vjetore që do të jenë publike edhe për qytetarët.
“Do të kemi edhe një sistem të ri rekrutimi që do të hyjë në fuqi me ligjin e ri për shërbimin civil që do miratohet në javët në vijim. Një sistem i ri që synon ta ngrejë në nivel tjetër mënyrën si ne i qasemi talenteve”, tha Pirdeni.
Burimi ATSH



















