
Kumbaro: 82 projekte do të financohen për Programin Kombëtar të Kërkimit dhe Zhvillimit
Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit do të financojnë 82 projekte në kuadër të Programit Kombëtar të Kërkimit dhe Zhvillimit.

Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit do të financojnë 82 projekte në kuadër të Programit Kombëtar të Kërkimit dhe Zhvillimit.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se “në këtë thirrje janë paraqitur gjithsej 148 aplikime nga 30 institucione të arsimit të lartë dhe institucione kërkimore në vend, duke reflektuar një interes të lartë dhe një dinamikë në rritje të kërkimit shkencor në Shqipëri”.
Sipas saj, projektet e përzgjedhura pritet të japin një kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve kërkimore, nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit shkencor.
“Gjithashtu projektet japin kontribut në gjenerimin e njohurive të reja dhe zgjidhjeve praktike, si dhe në adresimin e sfidave reale të shoqërisë në fushat përkatëse nga mjekësia, te bujqësia, teknologjia e informacionet e deri tek uji, energjia, biodiversiteti apo shkencat sociale”, u shpreh Kumbaro.
Programet Kombëtare të Kërkimit dhe Zhvillimit (PKKZH) përfshijnë programet dhe projektet që aplikohen në përputhje me fushat prioritare të miratuara nga Këshilli i Politikës Shkencore dhe Zhvillimit Teknologjik (KPSHZHT) për një periudhë të caktuar kohe (trevjeçare ose më shumë sipas interesave të vendit).
Programet Kombëtare implementohen nëpërmjet projekteve që realizojnë objektivat e programit, ku bashkëpunohet me një ose më shumë institucione apo grupe specialistësh. Secili Program Kombëtar është pajisur me dokumenacionin përkatës të hartuar nga një grup ekspertësh të fushave përkatëse me tituj e grada shkencore.
Burimi ATSH




















