Marrëdhëniet Kino – Amerikane në epokën e re

Atje ku Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkëpunojnë, përfitimet nuk mbeten të kufizuara vetëm brenda kufijve të këtyre dy gjigandëve të ekonomisë botërore, por padyshim që këto përfitime reflektohen në gjithë ekonominë globale


Nga Prof. Dr. Enriko Ceko
Drejtor Ekzekutiv “Qendra Shqiptare per Zhvillim te Qendrueshem”

Sfida gjithmonë e më shumë komplekse shfaqen përballë kësaj bote që po zhvillohet dhe po ndryshon me shumë shpejtësi. Këto sfida komplekse kanë të bëjnë me pasiguritë ekonomike globale, ndryshimet klimatike, tensionet gjeopolitike, etj., dhe, për t’u përballur me to, tashmë, më shumë se kurrë, nevojitet një qasje sipas së cilës në qendër duhet të vendoset dialogu, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi.

Kur bëhet fjalë për vendosjen dhe forcimin e dialogut dhe të komunikimit midis vendeve e rajoneve dhe qasjeve jo të njëjta politike, ekonomike dhe sociale, që, mund të ekzistojnë në këto vende dhe rajone të ndryshme, tashmë nuk bëhet fjalë thjesht dhe vetëm për ideale diplomatike, kulturore, filozofike, etj., por për domosdoshmëri praktike.

Në përgjithësi, historia, por specifikisht zhvillimet e pas Luftës II Botërore, kanë treguar se kur shtetet dhe kryesisht fuqitë e mëdha, kanë vendosur të zgjedhin që të kenë komunikim të hapur dhe të përdorin maturinë në menaxhimin e ndryshimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme, qoftë edhe të pikëpamjeve të kundërta, është bërë e mundur që të shmangen kriza të mëdha dhe të krijohen dhe hapen mundësi të reja zhvillimi dhe ecurie të përbashkët dhe atje dhe atëhere kur komunikimi ka munguar, pasojat kanë qenë të rënda dhe jo vetëm për palët, por për të tërë botën.

Nëse flasim hapur për menaxhimin e ndryshimeve, qoftë edhe për ndryshime e divergjenca radikale, kjo nuk do të thotë që të eliminohen dallimet dhe ndryshimet, qoftë këto të vogla, apo edhe esenciale. Përkundrazi, kjo ka të bëjë me kuptimin dhe pranimin e këtyre ndryshimeve dhe divergjencave, dhe mbi këtë bazë të kuptueshmërisë së palëve, të ndërtohen ura bashkëpunimi. Është si të ndërtosh ura që lidhin brigjet e dy anëve të një lumi. Lumi rrjedh, të dy anët e lumit kanë rrugën e tyre të zhvillimit, por nëse zhvillimi i të dy anëve të lumit është i veçuar dhe i ndryshëm, koha sjell përplasje të mëdha kulturash dhe keqkuptime madhore, ndërsa nëse ndërtohen ura, të dy anët e lumit mësojnë dhe shohin se si zhvillohet ana tjetër dhe mësojnë edhe më shumë për kulturën, jetën, historinë dhe zhvillimet e fundit dhe mbi këtë bazë mund të lindin edhe bashkëpunime të rëndësishme ekonomike dhe në fusha të tjera. Gjithmonë ka diçka për të parë dhe mësuar në anën tjetër të lumit, por nëse nuk ka ura, nga të paktën njëra anë e lumit do presësh vetëm gurë dhe duhet të jesh shumë largpamës që të mos përgjigjesh po me gurë.


Foto nga VCG

Dikush mund të thotë se lumi kalohet edhe me varka e peshkarexha. Nuk ka nevojë për ura. Vërtet. Ashtu është. Por, varkat dhe peshkarexha nuk janë të përshtatshme për krijimin e ndërtimin e zinxhirëve të vlerës së përbashkët. Në fund të fundit varka dhe peshkarexha kthehen në vendin e tyre. Ato janë si krushqit që vijnë për të pirë kafe e raki dhe nuk arrijnë të përfundojnë krushqinë.

Pikërisht në këtë pikë, bashkëpunimi midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara merr një rëndësi shumë të veçantë, pasi bëhet fjalë për dy ekonomitë më të mëdha dhe më të fuqishme në botë, ekonomi që nuk përfaqësojnë thjesht dhe vetëm interesa lokale apo kombëtare, por bëhet fjalë për dy ekonomi që përfaqësojnë në radhë të parë përgjegjësi globale dhe transnacionale dhe ndërtimi i urave të qëndrueshme dhe të forta midis këtyre dy ekonomive është themeli i së ardhmes së ekonomisë botërore.

Nëse do analizojmë me kujdes objektivat e Planit të 15-të Pesëvjeçar për zhvillimin e Kinës për periudhën 2026–2030 dhe fillimin e zbatimit të këtij plani në muajt e pare të vitit 2026, duket se Kina po tregon një angazhim të qartë për reforma të thella, bazuar në menaxhimin shkencor me synim rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe hapjen e mëtejshme ekonomike, për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të saj dhe për të mbështetur zhvillimet pozitive në rajon dhe në botë. Padyshim që kjo qasje përbën një sinjal mjaft domethënës, pozitiv dhe të rëndësishëm për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Kjo sepse kur bëhet fjalë për një ekonomi të madhe më të hapur dhe edhe më të angazhuar në krijueshmëri, inovacion dhe standarde, padyshim që bëhet fjalë në mënyrë të drejtpërdrejtë për më shumë hapësira për biznes, tregti, investime, produkte dhe shërbime të reja dhe inovative. Bëhet fjalë për më shumë mundësi dhe për më shumë fitime për të tërë palët e angazhuara. Pra, kjo hapje e Kinës nuk është thjesht në favor të Kinës dhe popullit të saj, por edhe në interes të drejtpërdrejtë të partnerëve të saj, padyshim përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Presidenti kinez Xi Jinping takohet me homologun amerikan Donald Trump në Busan, Kore të Jugut, 2025/ Foto nga Xinhua

Nëse u referohemi fakteve që flasin vetë, marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfaqësojnë një prej marrëdhënieve dhe lidhjeve më të mëdha ekonomike dhe tregtare në botë. Bëhet fjalë për qindra miliarda dollarë shkëmbime produktesh, shërbimesh dhe kapitali çdo vit dhe nëse hedhim me kujdes sytë dhe shikojmë me detaje pas këtyre qindra miliarda dollarëve, do të vërejmë se këto para janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me miliona vende pune në të dy vendet dhe edhe në vende të tjera të treta të lidhura në këtë zinxhir vlerash dhe industrish. Pra, sfidat janë sfida, por ato janë sekondare. Në radhë të parë qëndron fort dhe e palëkundur ndërvarësia e pamohueshme ekonomike. Është kjo ndërvarësi ekonomike që tashmë përbën një realitet që nuk mund të injorohet aspak, në asnjë moment, nga askush.

Parë në këtë kontekst, edhe takimet ndërkombëtare të APEC dhe G20 marrin një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse këtë vit, Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë organizatorët përkatësisht të këtyre dy forumeve të rëndësishme globale, në të cilat qëndrojnë mundësi pothuajse unike për të treguar lidership të përgjegjshëm dhe largpamës, sepse mbështetja reciproke dhe koordinimi në këto dy platforma me rëndësi ekonomike botërore, padyshim që mund dhe duhet të sjellë një kontribut të vërtetë në qëndrueshmërinë financiare globale, në rritjen ekonomike rajonale dhe globale, dhe në përballimin e sfidave të përbashkëta në nivel transnacional.

Jemi në një fazë të zhvillimeve në të tëra rajonet e globit dhe në nivel tërësor global për të ndërtuar ura dhe jo për të shkëputur dhe ndarë brigjet. Është pikërisht koha që konkurrenca e shëndetshme e shoqëruar me bashkëpunim, të qëndrojë fort përballë përshkallëzimit të rivalitetit që ha përbrenda ekonominë e çdo vendi dhe gërryen zhvillimet globale. Atje ku Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkëpunojnë, përfitimet nuk mbeten të kufizuara vetëm brenda kufijve të këtyre dy gjigandëve të ekonomisë botërore, por padyshim që këto përfitime reflektohen në gjithë ekonominë globale, në stabilitetin ndërkombëtar, në mirëqenien e njerëzimit dhe jo vetëm në ekonomitë e mëdha, por edhe në ekonomitë e vogla të vendeve të pazhvilluara dhe në zhvillim.


Të rinjtë kinezë dhe amerikanë në një aktivitet shkëmbimi sportiv, prill 2026, Pekin, Kinë/Foto nga VCG

Thënë qartë si nga pikëpamja filozofike materialiste dhe ajo e ekonomisë së tregut, ashtu dhe nga pikëpamja e psikologjisë së lidershipit, bashkëpunimi nuk është dobësi. Bashkëpunimi tregon forcë. Dialogu nuk është kompromis i interesave. Dialogu është rruga reale për të mbrojtur në mënyrë të qëndrueshme këto interesa. Besimi nuk është diçka që ndërtohet brenda natës. Besimi kërkon punë me vizion afatgjatë, hapa të qëndrueshëm dhe respekt të ndërsjellë,

Pra, në fund të fundit, nuk bëhet fjalë për pyetjen e famshme të Shekspirit: Të rrosh apo të mos rrosh? Pra, nuk bëhet fjalë nëse Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të bashkëpunojnë apo jo_ Pyetja e vërtetë që shtrohet përballë nesh është: Sa shpejt dhe sa thellë mund ta bëjnë Kina dhe Shtetet e Bashkuara Amerikës këtë bashkëpunim (?), për të mirën e të dy vendeve dhe të dy popujve dhe padyshim edhe për të mirën e përbashkët në rang global, sepse në këtë botë të ndërthurur në këtë mënyrë kaq të komplikuar si kjo e sotmja, përparimi i bregut në njërën anë të lumit nuk mund të bëhet në kurriz të brigjeve të tjera. Përparim dhe zhvillim i vërtetë është ai që ndahet midis partnerëve dhe pikërisht në kuptueshmërinë e këtij ekuacioni sa kompleks dhe po aq të thjeshtë, qëndron dhe fillon e ardhmja jonë e përbashkët, ku Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë për të luajtur një rol të pamohueshëm.

Burimi CGTN

Vihet në punë Akseleratori i 3-të në QSUNT, Sala: Po punohet për të 4-tin dhe brankiterapinë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, gjatë inspektimit në Spitalin Onkologjik në QSUNT, tha se nëpërmjet akseleratorit të…

Global 360

Tre kongresistë paraqesin rezolutë në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për…

Diplovista

Rama për “Il Giornale”: Shumë vende evropiane e kanë kërkuar, por marrëveshja për migrantët vlen vetëm për Italinë

Të hysh në studion e Edi Ramës është një goditje e papritur. Pasi i nënshtrosh.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Shqipëria në BE, projekt më i madh se amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Diasporës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Vihet në punë Akseleratori i 3-të në QSUNT, Sala: Po punohet për të 4-tin dhe brankiterapinë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, gjatë inspektimit në Spitalin Onkologjik në QSUNT, tha se nëpërmjet akseleratorit të…