
Haxhiu shpall 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Kosovë

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare – të tretat brenda rreth një viti e gjysmë.
Vendimi i Haxhiut të enjten vjen pak pas mbajtjes së një takimi me liderë dhe përfaqësues të partive politike në vend për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Pasi dëgjova propozimet e partive politike dhe pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbahen më 7 qershor”, tha Haxhiu.
Ajo tha se 15 nga 17 partitë e ftuara morën pjesë në takim për të zgjedhur mes dy datave të mundshme, 31 majit dhe 7 qershorit.
Edhe përfaqësuesit e disa prej partive më të mëdha thanë pas takimit se ishin pajtuar që zgjedhjet e reja të mbaheshin më 7 qershor.
Bedri Hamza, kreu i partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha pas takimit se “shumica e partive politike të përfaqësuara këtu edhe prezente, kanë qenë për datën 7”.
Një ditë më parë, Haxhiu e takoi kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili tha se ky organ – i cili bën mbarëvajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve – parapëlqen 7 qershorin si datë të zgjedhjeve.
Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike (LDK) në opozitë theksoi se partia e saj është “dakord me datën 7 qershor”.
“Si LDK, ne dhamë mendimin tonë që, brenda kornizave ligjore të shpallet 7 qershori si data e zgjedhjeve, meqë edhe KQZ-ja ka kërkuar paraprakisht, sepse i duhet më shumë kohë për organizimin sa më profesional të zgjedhjeve”, tha Lushaku pas takimit.
Po ashtu, edhe anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, konfirmoi se ka “pajtueshmëri pothuajse të plotë” që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor.
“Edhe ne jemi pajtuar, edhe pse nuk kemi pasur ndonjë preferencë të posaçme për datat, thënë të drejtën, mirëpo po duket që ka qenë pothuajse konsensus i plotë që të jetë data 7 qershor”, tha ai.
Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.
Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.
Shpërndarja e Kuvendit të martën nënkupton se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme dhe 7 qershori ishte data e fundit e mundshme.
Zgjedhjet e treta të njëpasnjëshme
Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajsh, pas atyre në shkurt dhe dhjetor 2025, që sipas ekspertëve e kanë futur vendin në krizë institucionale sistematike.
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova po përjeton krizë politike e institucionale dhe se zgjedhje e parakohshme parlamentare “nuk garantojnë stabilitet” as tani.
Ai nënvizoi se, në sytë e faktorit ndërkombëtar, Kosova po përjeton “krizë politike dhe institucionale sistematike”.
Më herët të enjten, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që partitë politike nuk e gjetën asnjë figurë unifikuese për kandidat për president të vendit për t’i shmangur zgjedhjet e treta të njëpasnjëshme.
Një zëdhënës i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se blloku evropian u bën thirrje partive politike të gjejë gjuhë të përbashkët për t’i shmangur krizat institucionale në vend.
“Është urgjente për Kosovën që të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësi që u sjellin përfitime qytetarëve, përfshirë ato nga Plani i Rritjes”, tha zëdhënësi.
Përpjekjet disamujore për zgjedhjet e presidentit të ri dështuan në mungesë të lëshimeve nga paria në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, dhe dy partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK.
Kurti kishte zhvilluar takime me liderët e tyre në muajt e kaluar, por ata asnjëherë s’u dukën afër një marrëveshjeje për një president të ri.
Partia në pushtet nxori në dy raste nga dy kandidatë në votim në Kuvend, përfshirë dy që tha ishin jopartiakë këtë muaj në përfundim të mandatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit – por në të dyja rastet opozita e braktisi sallën duke e pamundësuar votimin.
Nevojitet prania e 2/3 të deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Moszgjidhja e presidentit brenda afatit çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen drejtpërdrejt në zgjedhje parlamentare. /rel/



















