
Urë e re ekonomike mes Shqipërisë, Belgjikës dhe BE-së, themelohet EUBACCI
Në Ambasadën e Shqipërisë në Belgjikë u inaugurua Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë BE–Belgjikë–Shqipëri (EUBACCI), nismë që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjeve tregtare mes Shqipërisë, Belgjikës dhe BE-së.

Në Ambasadën e Shqipërisë në Belgjikë u inaugurua Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë BE–Belgjikë–Shqipëri (EUBACCI), nismë që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjeve tregtare mes Shqipërisë, Belgjikës dhe BE-së.
Aktiviteti bëri bashkë përfaqësues institucionesh, biznesi dhe agjencish belge si HUB Brussels dhe AWEX, duke krijuar një platformë dialogu ekonomik.
Presidentja e Dhomës, Eneida Rrapaj, prezantoi vizionin dhe misionin e EUBACCI, ndërsa Ambasadorja e Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, Albana Dautllari, theksoi mbështetjen e Ambasadës mbi këtë nismë me rëndësi për marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve shqiptare si Laura Plaku, Drejtore e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Julian Adili, Drejtor i ADDRE, Florensa Haxhi, Drejtore e Durana Tech Park, dhe Dritan Delija, Drejtor i TEDS Tirana, të cilët prezantuan mundësitë e investimit në Shqipëri për kompanitë belge dhe evropiane.
EUBACCI synon të shërbejë si urë lidhëse mes bizneseve dhe institucioneve, duke nxitur bashkëpunimin, shkëmbimin e informacionit dhe zhvillimin ekonomik.
Themelimi i kësaj dhome përbën një hap strategjik për rritjen e konkurrueshmërisë, zgjerimin e tregjeve dhe përmirësimin e klimës së investimeve.
Marrë nga ATSH



















