
Nis zbatimi i pagesave me këste të debive, kategoritë përfituese nga reduktimi i kamatës deri në 100%
Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, ka nisur zbatimin e skemave të reja lehtësuese për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura nga faturat e energjisë elektrike. Skema përfshin detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2024 dhe synon të ndihmojë klientët në përballimin e debive të akumuluara.

Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, ka nisur zbatimin e skemave të reja lehtësuese për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura nga faturat e energjisë elektrike. Skema përfshin detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2024 dhe synon të ndihmojë klientët në përballimin e debive të akumuluara.
Sipas njoftimit të kompanisë, skema prek të gjitha kategoritë e klientëve, me fokus të veçantë tek familjet në nevojë. Përfitues janë familjarët që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë, të cilët mund të shlyejnë detyrimet duke nisur nga 1,200 lekë në muaj, ndërsa për klientët e tjerë familjarë këstet mujore nisin nga 2,800 lekë.
Numri maksimal i kësteve mund të arrijë deri në 240, ndërsa klientët kanë mundësinë të zgjedhin edhe këste më të larta për të përfunduar më shpejt shlyerjen e detyrimeve.
Ndërkohë, për institucionet dhe subjektet jofamiljare, numri i kësteve përcaktohet sipas vlerës së detyrimit, duke nisur nga 24 këste për debi më të ulëta dhe deri në 120 këste për detyrime më të larta.
OSHEE ka parashikuar edhe reduktim të kamatëvonesave për klientët që zgjedhin të shlyejnë menjëherë të gjithë detyrimin. Klientët familjarë përfitojnë ulje prej 70% të kamatëvonesës, klientët jofamiljarë 50%, ndërsa biznesi i vogël mund të përfitojë falje të plotë të kamatëvonesës nëse paguan të gjithë detyrimin me një këst.
Po ashtu është miratuar dhe një skemë speciale për raste të veçanta si faturat korrektive, faturat përmbledhëse apo rastet e testimit dhe demontimit të matësit. Këto detyrime mund të shlyhen me deri në 24 këste, ndërsa nëse paguhen menjëherë me një këst përfitohet ulje e kamatëvonesës.
Për të përfituar nga këto skema, klientët duhet të kenë shlyer detyrimet e krijuara gjatë vitit 2025 dhe në vijim, ndërsa pas nënshkrimit të marrëveshjes duhet të paguajnë këstin e parë brenda 7 ditëve dhe të vijojnë më pas me pagesa mujore të rregullta.
/Burimi ATSH



















