
Spahiu në Korçë: Modelin e Qendrës për Mbështetjen e Fëmijës dhe Familjes ta shtrijmë në çdo qytet
Institucioni i përkujdesjes rezidenciale në bashkinë Korçë është transformuar në Qendrën për Mbështetjen e Fëmijës dhe Familjes, duke shënuar një tjetër hap në zbatimin e reformës së deinstitucionalizimit dhe kalimin drejt shërbimeve sociale të bazuara te familja dhe komuniteti.

Institucioni i përkujdesjes rezidenciale në bashkinë Korçë është transformuar në Qendrën për Mbështetjen e Fëmijës dhe Familjes, duke shënuar një tjetër hap në zbatimin e reformës së deinstitucionalizimit dhe kalimin drejt shërbimeve sociale të bazuara te familja dhe komuniteti.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mori pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, e cila u njoh me modelin e ri të ofrimit të shërbimeve dhe mbështetjen që do t’u ofrohet fëmijëve dhe familjeve në nevojë.
Në fjalën e saj Spahiu theksoi se transformimi është rezultat i një procesi të gjatë pune, ndërsa nënvizoi rëndësinë e vendimeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave për zbatimin e reformës.
“Ka pasur një rrugëtim të gjatë, që prej vitit 2018, po punohet për pjesën ligjore dhe sot jam e kënaqur që u miratuan të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave, të cilat e kthejnë këtë ligj në realitet. Nëse nuk investojmë te fëmijët, nuk kemi investuar te shoqëria. Shembullin e Korçës duhet ta çojmë në çdo qytet. Ne nuk duhet të tërhiqemi nga ky projekt, sepse është e vetmja mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet pa mbështetje prindërore”, u shpreh Spahiu.
Me mbështetjen e UNICEF Shqipëri dhe partnerëve, qendra synon të ofrojë një model të ri përkujdesjeje, duke vendosur në fokus parandalimin e ndarjes së fëmijëve nga familjet, forcimin e kapaciteteve prindërore dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për rritjen dhe zhvillimin e tyre.
Reforma e deinstitucionalizimit synon të zhvendosë fokusin nga kujdesi rezidencial drejt shërbimeve komunitare dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të familjeve, në mënyrë që fëmijët të rriten në një mjedis familjar dhe të kenë akses në shërbimet e nevojshme sociale.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përmes mekanizmit të Fondit Social, ka financuar bashkinë Korçë për këtë shërbim që prej vitit 2021. Deri në vitin 2026, vlera totale e financimit të akorduar arrin në 35 296 014 lekë, ndërsa mbështetja financiare vijon në masën 30% të vlerës fillestare të shërbimit.
Gjithashtu, gjatë vitit 2026, përmes Fondit Social është financuar edhe zgjerimi i shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara pranë Shërbimit të Mbështetjes për Fëmijën dhe Familjen (SHMFF).
Transformimi i institucionit në Korçë përfaqëson një model të ri të kujdesit social, ku në qendër është fëmija dhe e drejta e tij për t’u rritur në një mjedis të sigurt, me mbështetjen e familjes dhe komunitetit.
Burimi ATSH



















