
Ibrahimaj: Ligji i ri për konsumatorët forcon të drejtat e qytetarëve dhe transparencën e çmimeve
Kuvendi miratoi sot ligjin e ri “Për mbrojtjen e konsumatorit”. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj e cilësoi si ligjin si “një reformë e rëndësishme që forcon të drejtat e qytetarëve, transparencën e çmimeve dhe mbrojtjen nga praktikat e padrejta tregtare”.

Kuvendi miratoi sot ligjin e ri “Për mbrojtjen e konsumatorit”. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj e cilësoi si ligjin si “një reformë e rëndësishme që forcon të drejtat e qytetarëve, transparencën e çmimeve dhe mbrojtjen nga praktikat e padrejta tregtare”.
Duke u ndalur tek risitë që sjell ligji i ri, Ibrahimaj tha se do të ketë “transparencë në uljet e çmimeve; rregulla për të parandaluar rritjen artificiale të çmimeve përpara promocioneve dhe për të garantuar oferta të besueshme”.
Gjithashtu sipas Ibrahimajt do të “ketë mbrojtje në blerjet online”, konkretisht “transparencë në renditjen e produkteve, identifikimin e reklamave të paguara dhe parandalimin e vlerësimeve të rreme”.
Ministrja shtoi se ligji i ri sjell informacion të saktë për produktet.
“Masa kundër reklamave mashtruese, pretendimeve të pavërteta për cilësinë dhe ndikimin mjedisor, si dhe praktikave të cilësisë së dyfishtë”, tha ajo.
Një tjetër risi sipas Ibrahimajt është “e drejta për riparim, mundësia e riparimit të produkteve edhe pas përfundimit të garancisë ligjore, sipas kushteve të përcaktuara në ligj.
Gjithashtu do të krijohet Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes së Konsumatorit, një autoriteti të dedikuar për mbikëqyrjen e tregut, hetimin e praktikave të padrejta dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.
Ibrahimaj theksoi se ligji i miratuar përafron legjislacionin shqiptar me 14 direktiva dhe 1 rregullore të Bashkimit Europian, duke përmbushur angazhime të rëndësishme në kuadër të Kapitullit 28 – “Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndeti publik.
Burimi ATSH


















