
Von der Leyen: KE paraqet javën e ardhshme rishikimet e politikave të zgjerimit
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është një proces me dy kahe, duke theksuar se krahas përgatitjeve të vendeve kandidate, edhe BE-ja duhet të jetë gati për të mirëpritur anëtarët e rinj.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është një proces me dy kahe, duke theksuar se krahas përgatitjeve të vendeve kandidate, edhe BE-ja duhet të jetë gati për të mirëpritur anëtarët e rinj.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Von der Leyen tha se Komisioni Evropian do të paraqesë javën e ardhshme rishikimet e politikave të zgjerimit.
“Ju po përgatiteni në Shqipëri, por edhe ne po përgatitemi, pasi zgjerimi është një proces me dy kahe. Edhe BE-ja duhet të jetë gati që të mirëpresë anëtarët e rinj”, u shpreh ajo.
Von der Leyen bëri të ditur se rishikimi do të përfshijë institucionet, politikat dhe buxhetin e BE-së, me qëllim që Bashkimi Evropian të jetë i përgatitur për zgjerimin.
“Për këtë arsye, javën e ardhshme do të paraqesim rishikimet e politikave tona të zgjerimit. Do të shqyrtojmë institucionet tona, politikat tona, do të shikojmë edhe buxhetin tonë për t’u siguruar që Bashkimi ynë Evropian është gati për t’u zgjeruar, për të mirëpritur anëtarët e rinj”, deklaroi presidentja e KE-së.
Ajo tha se do të përcaktohen gjithashtu udhërrëfyes për vendet kandidate që kanë bërë përparimin më të madh, me qëllim konkretizimin e hapave drejt anëtarësimit dhe ruajtjen e standardeve demokratike dhe sundimit të ligjit.
“Ne do të përcaktojmë edhe ato që quhen udhërrëfyesit, që sigurojnë pikërisht që vlerat demokratike që qëndrojnë në thelb të BE-së dhe sundimi i ligjit të vazhdojnë”, tha von der Leyen.
Ajo nënvizoi se angazhimet për anëtarësimin duhet të respektohen edhe pasi një vend të bëhet anëtar i BE-së.
Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Von der Leyen iu referua shprehjes së tij se procesi i anëtarësimit do të vazhdojë të bazohet te merita.
“Ju përdorët një shprehje që procesi i anëtarësimit do të vazhdojë të bazohet te merita. Por, natyrisht, i bazuar te merita nuk do të thotë domosdoshmërisht një proces i ngadaltë, në veçanti në realitetin e sotëm gjeopolitik”, u shpreh ajo.
“Prandaj ne do të përcaktojmë këto udhërrëfyes për vendet kandidate që kanë bërë përparimin më të madh. Shqipëria sigurisht që është ndër këto vende. Këta udhërrëfyes do ta shndërrojnë rrugën drejt anëtarësimit në hapa konkretë”, deklaroi von der Leyen.
Sipas saj, udhërrëfyesit do të përcaktojnë qartë detyrat që mbeten për t’u përmbushur, afatet dhe hapat e mëtejshëm në proces.
“Ne do të sqarojmë çfarë mbetet për t’u bërë, deri në çfarë date, në ç’kohë dhe çfarë do të vijë më pas”, theksoi presidentja e Komisionit Evropian.
Burimi ATSH



















