
Von der Leyen: Hetimet për korrupsionin janë provë se sistemi po funksionon
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi sot se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është në thelb të procesit të integrimit evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi sot se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është në thelb të procesit të integrimit evropian, duke i cilësuar hetimet ndaj zyrtarëve të lartë si tregues të funksionimit të sistemit të drejtësisë.
E pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama lidhur me hetimet për korrupsionin dhe mënyrën se si i vlerëson BE-ja këto zhvillime në kuadër të procesit të anëtarësimit, Von der Leyen tha se ato dëshmojnë forcimin e sistemit gjyqësor.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është kyçe, është në thelb, në zemër të të gjithë punës dhe për ne. Dhe kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë provë që sistemi po funksionon”, u shpreh ajo.
“Pra, në përgjigje të pyetjes tuaj, mendoj që ky është fuqizimi i sistemit gjyqësor, ajo që po shohim”, deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian.
Burimi ATSH


















