
Von der Leyen: 63 shkolla u rindërtuan ose rikonstruktuan me mbështetjen e BE-së
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur se nesër do të vizitojë së bashku me kryeministrin Edi Rama shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, e rindërtuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian pas tërmetit të vitit 2019.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur se nesër do të vizitojë së bashku me kryeministrin Edi Rama shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, e rindërtuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian pas tërmetit të vitit 2019.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, Von der Leyen kujtoi solidaritetin e BE-së me Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019.
“I dashur Edi, nesër në mëngjes do të kemi kënaqësinë që të vizitojmë shkollën “Emin Duraku”. Në vitin 2019, kur Shqipëria u godit nga tërmeti shkatërrues, i mbaj mend ato ditë, sa e tmerrshme ishte. Unë të thashë: Evropa do të qëndrojë krah jush. Dhe ne qëndruam krah jush”, u shpreh ajo.
Presidentja e KE-së e cilësoi programin e BE-së për rindërtimin e shkollave si një prej shembujve konkretë të solidaritetit dhe bashkëpunimit evropian me Shqipërinë.
“Programi i BE-së për shkollat është një program që vërtet më pëlqen shumë. Është ndoshta një nga programet më të prekshme, një nga shembujt më konkretë të këtij solidariteti dhe këtij bashkëpunimi”, deklaroi Von der Leyen.
Von der leyen theksoi se, përmes këtij programi janë rindërtuar ose rikonstruktuar 63 shkolla me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
“Shkolla si shkolla “Emin Duraku”, shkolla që tashmë mirëpresin dhe edukojnë një brez të rinj evropianësh. Dhe me shumë kënaqësi pres vizitën nesër”, përfundoi Presidentja e Komisionit Evropian.
Burimi ATSH


















