
Ibrahimaj: “Pasqyra e çmimeve” me 160 produkte, në funksionim 10-ditëshin e parë të tetorit
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se platforma “Pasqyra e çmimeve” është në fazat përfundimtare të përgatitjes dhe pritet të vihet në funksionim në 10-ditëshin e parë të tetorit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se platforma “Pasqyra e çmimeve” është në fazat përfundimtare të përgatitjes dhe pritet të vihet në funksionim në 10-ditëshin e parë të tetorit.
Në konferencën e sotme për shtyp duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve se në çfarë faze është “Pasqyra e çmimeve” dhe nëse ka tashmë një listë të produkteve që do të jenë të listuara në këtë platformë, Ibrahimaj tha se “kjo platformë është një nismë e re që Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka ndërmarrë. Siç kemi shpjeguar, ne jemi duke punuar për të ndërtuar platformën, e cila është në fazat përfundimtare të përgatitjes”.
“Ne presim që në 10-ditëshin e parë të tetorit platforma të jetë me një numër prej minimalisht 160 produktesh. Jemi duke rakorduar me marketet kryesore listën finale të produkteve që siç kemi shpjeguar do të përbëhet nga produktet kryesore të shportës. Do të jenë ushqime, por do të jenë edhe produkte të higjienës së përditshme, të cilat përdoren nga familjet shqiptare më së shumti”, nënvizoi Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj informoi se “jemi duke punuar gjithashtu me rrjetin e supermarketeve, por edhe me rrjetet e importuesve apo të prodhuesve, pra furnitorëve kryesorë të supermarketeve, me qëllim detajimin e një liste për të cilën supermarketet, importuesit dhe prodhuesit kryesorë kanë vendosur të shesin, të tregtojnë për një periudhë tremujore me çmime fikse dhe me fitim minimal”.
“Të dyja këto do të jenë në do të jenë live brenda 10-ditëshit të parë të tetorit, siç e kemi lançuar dhe më parë”, tha Ibrahimaj.
Burimi ATSH



















