
Schieder: Shqipëria në fazën e fundit të negociatave me BE, synohet anëtarësimi brenda dekadës
Shqipëria ndodhet në fazën e fundit të procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ka mundësinë të mbyllë kapitujt e mbetur brenda afateve, deklaroi raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder.

Shqipëria ndodhet në fazën e fundit të procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ka mundësinë të mbyllë kapitujt e mbetur brenda afateve, deklaroi raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder.
Schieder foli sot në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, që po zhvillohet në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, Parlamentit Evropian dhe parlamenteve të vendeve të tjera evropiane.
“Arsyeja kryesore pse jemi përfshirë në procesin e zgjerimit është se ende besoj se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një projekt i së ardhmes. Është diçka që e meriton i gjithë kontinenti dhe është ajo që ne të gjithë kemi ëndërruar në vitin 1989”, u shpreh Schieder.
Ai theksoi se procesi i zgjerimit mund të ketë zgjatur më shumë nga sa ishte parashikuar, por sipas tij, kjo e bën edhe më të rëndësishme përfundimin e tij.
Duke iu referuar Shqipërisë, Schieder tha se mbështetja e gjerë e qytetarëve për anëtarësimin në BE përbën një mundësi për vendin për të vijuar me ritmin e reformave.
“Ne këtu në Shqipëri kemi 95% të popullsisë që është pro BE-së dhe kjo është një mundësi e veçantë për vendin që ta përdorë këtë vrull”, tha ai.
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian nënvizoi se Shqipëria është aktualisht në një fazë të rëndësishme të negociatave, duke theksuar se procesi nuk lidhet vetëm me hapjen e kapitujve, por edhe me përmbushjen e standardeve dhe zbatimin e reformave.
“Shqipëria ka qenë mjaft aktive dhe, siç e kam thënë, nuk është çështja vetëm të hapen kapitujt. Ata kapituj duhen mbyllur. Por pastaj vjen edhe zbatimi, që ka ndikim te këta kapituj dhe, çfarë është më e rëndësishme, është që të mundësohet që këto reforma të shkojnë, të mbështesin shoqërinë”, u shpreh Schieder.
Ai veçoi ndër fushat ku duhet vijuar puna me shtetin e së drejtës, reformat ekonomike dhe mjedisore, zbatimin e standardeve evropiane, ndikimet sociale dhe shëndetësore, si dhe politikën e jashtme.
Schieder vlerësoi reformën në drejtësi të ndërmarrë nga Shqipëria, duke iu referuar procesit të vetingut dhe reformimit të sistemit gjyqësor.
“Duhet të shohim të gjitha çështjet, si për shembull shtetin e së drejtës, ku Shqipëria 10 vite më parë ndërmori një proces shumë të rëndësishëm e të vështirë të vetingut dhe të reformimit të sistemit ligjor”, tha ai.
Sipas Schieder, Shqipëria ka ende disa kapituj për të mbyllur, ndërsa theksoi se vendi ka kohë për të vijuar procesin në përputhje me objektivat e vendosura.
Ai u shpreh gjithashtu se Shqipëria mund të synojë anëtarësimin në BE përpara fundit të kësaj dekade.
“Mund të mendojmë dhe që Shqipëria meriton të jetë anëtare e re e BE-së përpara fundit të kësaj dekade. Do të thoja që kjo është sfidë, patjetër që është, por kemi parë që Shqipëria, me autoritetet e veta dhe Kuvendin, e ka ndërmarrë këtë sfidë në mënyrë mjaft të fortë”, deklaroi Schieder.
Ai theksoi se procesi i zgjerimit nuk është vetëm një projekt i Brukselit apo i Tiranës, por një proces që përfshin të gjitha vendet dhe shoqëritë e Bashkimit Evropian.
“Ky nuk është thjesht projekt i Brukselit dhe projekt i Tiranës, është projekt që do të bashkojë të gjithë njerëzit së bashku, duke përfshirë këtu 27 kryeqytetet e BE-së dhe të gjitha shoqëritë tona në të njëjtin vend”, u shpreh ai.
Në këtë kuadër, Schieder e vlerësoi konferencën si një mundësi për shkëmbimin e ideve dhe diskutimin e çështjeve që lidhen me të ardhmen e procesit të zgjerimit.
Marrë nga ATSH


















