
Komisioni Evropian pritet të mbështesë zyrtarisht afatin e vitit 2027 për anëtarësimin e Shqipërisë
Komisioni Evropian po punon për përfundimin e procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në dhjetor të vitit 2027, sipas Euronews.

Komisioni Evropian po punon për përfundimin e procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në dhjetor të vitit 2027, sipas Euronews.
Ky është një afat që Tirana e ka promovuar prej kohësh dhe që pritet të marrë tashmë njohje zyrtare në udhërrëfyesit e ardhshëm të zgjerimit të BE-së, thanë zyrtarë evropianë.
Komisioni po përgatit një udhërrëfyes që do të konfirmojë objektivin e deklaruar të Shqipërisë për mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave deri në fund të vitit të ardhshëm.
Dokumenti pritet të përcaktojë gjithashtu reformat dhe rezultatet prioritare që nevojiten për të mbyllur boshllëqet e mbetura në procesin e anëtarësimit.
Shqipëria ka vendosur fundin e vitit 2027 si objektiv për përfundimin e negociatave të anëtarësimit.
Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë shqiptarë e kanë përshkruar në mënyrë të përsëritur këtë afat si pjesë të një plani të rëne dakord me Komisionin Evropian.
Megjithatë, ndonëse zyrtarët e Komisionit kanë mbështetur ambicien e Shqipërisë, ekzekutivi i BE-së zakonisht nuk përcakton afate për anëtarësimin, pasi procesi i zgjerimit bazohet në meritat dhe përmbushjen e kritereve nga secili vend kandidat.
“Siç e dini, zgjerimi nuk funksionon me data. Por sa më shumë që vendi i afrohet përfundimit të pjesës teknike të anëtarësimit, aq më shumë mund të flasim për të ose të përdorim vitet”, deklaroi në korrik komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Udhërrëfyesit e rinj të zgjerimit
Kjo qasje pritet të ndryshojë së shpejti.
Në fjalimin e saj të mbajtur javën e kaluar në Parlamentin Evropian, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi një seri “udhërrëfyesish” për vendet kandidate.
“Ne së shpejti do të propozojmë udhërrëfyes për vendet kandidate që kanë bërë përparimin më të madh”, tha von der Leyen, duke përmendur Ukrainën, Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor si shtete, e ardhmja e të cilave qëndron në Bashkimin Evropian.
Udhërrëfyesit pritet të përcaktojnë një afat orientues, me synimin për t’u dhënë vendeve kandidate një drejtim më të qartë për përmbushjen e hapave të nevojshëm.
Kjo qasje kujton strategjinë e zgjerimit të vitit 2002, e cila i hapi rrugë procesit të njohur si “Big Bang”, me anëtarësimin e 10 vendeve të reja në Bashkimin Evropian.
Dokumentet e reja pritet të përfshihen në paketën e zgjerimit të Komisionit Evropian, e cila përbën vlerësimin vjetor të ecurisë së procesit të anëtarësimit.
Paketa pritet të publikohet në fund të tetorit dhe do të përmbajë gjithashtu vlerësime specifike për secilin vend, si dhe rekomandime për hapat e ardhshëm.
Vlerësimi i kritereve për mbylljen e negociatave
Në këtë kuadër, Komisioni Evropian po harton një raport vlerësimi për kriteret e mbylljes së negociatave.
Raporti do të shqyrtojë nëse një vend kandidat i ka përmbushur standardet e përcaktuara për të konsideruar se ka plotësuar kërkesat e anëtarësimit, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, të cilat njihen si “çështjet themelore”.
Në rastin e Shqipërisë, plani është që raporti të përfshijë një listë me rezultatet dhe detyrimet kryesore që duhet të përmbushen.
Kjo listë do të përcaktojë reformat dhe masat e nevojshme për të mbyllur boshllëqet e mbetura në kriteret e përcaktuara nga Komisioni.
Një qasje e ngjashme është përdorur tashmë për Malin e Zi, ku Komisioni Evropian shfrytëzoi procesin e vlerësimit të kritereve për mbylljen e negociatave për të përcaktuar reformat konkrete dhe rezultatet që vendi duhej të arrinte.
Lista e detyrimeve synon t’u japë vendeve kandidate një sinjal të qartë se ku duhet të përqendrohen përparësitë e tyre.
Në këtë mënyrë, vendet nxiten të përfundojnë hapat e paplotësuar dhe të përmbushin kërkesat e procesit të anëtarësimit.
“Në thelb, Komisioni pa se kjo qasje funksionoi mirë me Malin e Zi dhe dëshiron ta zbatojë edhe në raste të tjera”, tha një zyrtar i BE-së duke kërkuar të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së diskutimit.
Marrë nga ATSH


















