
Parkimet pjesë e Programit Kombëtar të Strehimit, 50% do të shiten me banesat, 50% me qira
Kryeministri shprehu bindjen se rezultatet e politikës së re të strehimit do të përbëjnë një nga arsyet e krenarisë së shumicës qeverisëse deri në vitin 2030.

Parkimet do të jenë pjesë e Programit Kombëtar të Strehimit “Rilindja 2.0”, ku 50% e tyre do të shiten së bashku me banesat, ndërsa 50% do të jepen me qira.
Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programit të ri të strehimit.
Rama tha se parkimet janë konsideruar si një element i nevojshëm për t’u përfshirë në politikën e re të strehimit.
“E treta është parkimet, është pjesë e politikës ku edhe parkimet janë konsideruar si elementë të nevojshëm për të futur në këtë program të ri ku 50% shiten me banesa dhe 50% e parkimeve jepen me qira”, deklaroi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se programi do të adresojë në mënyrë strategjike pesë grupe, nga çiftet e reja deri te emigrantët, ndërsa parashikohet edhe krijimi i një stoku social me banesa sociale dhe të përballueshme.
Rama theksoi se, “Programi Kombëtar i Strehimit nga një anë do të materializohet përmes Parlamentit me ligjin e ri, reformën tërësore të agjencive që do ta administrojnë këtë program dhe nga ana tjetër me gjithë disponimin financiar të nevojshëm për buxhetin e 2027-s dhe së shpejti do të publikohen edhe thirrjet përgatitjen e kujtdo që është i interesuar për të hyrë në këtë proces”.
“Besoj që 4 000 çelësat e njërit program dhe 3 000 çelësat e programit tjetër bëjnë 7 000 çelësa për vitin 2027. Vetëm për vitin 2027, pa llogaritur gjithë komponent e tjerë, por vetëm ato të dyja”, tha Rama.
Në këtë kuadër, Rama theksoi se vijon edhe skema e kredive të buta për mësuesit, punonjësit e Policisë dhe ushtarakët e rinj.
Kryeministri shprehu bindjen se rezultatet e politikës së re të strehimit do të përbëjnë një nga arsyet e krenarisë së shumicës qeverisëse deri në vitin 2030.
“Besimi im i plotë është që brenda vitit 2030 të ketë një arsye më shumë, se kemi një sërë arsyesh, për krenarinë e shumicës qeverisëse bazuar në rezultatet që do të ketë gjithë kjo politikë e re e strehimit në Rilindjen 2.0”, u shpreh Rama.
Marrë nga ATSH

















