
INSTAT: Papunësia zbret në 8.3% në 3-mujorin e dytë 2026
Sipas INSTAT, papunësia u ul me 0.2 pikë përqindjeje krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025 dhe me 0.1 pikë përqindjeje në raport me tremujorin e parë të këtij viti.

Shkalla e papunësisë në Shqipëri zbriti në 8.3% në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke vijuar tendencën rënëse, duke shënuar një përmirësim krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT, papunësia u ul me 0.2 pikë përqindjeje krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025 dhe me 0.1 pikë përqindjeje në raport me tremujorin e parë të këtij viti.
Shkalla e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart ishte 58.3%, 0.1 pikë përqindjeje më e ulët në terma vjetorë, por 0.3 pikë përqindjeje më e lartë krahasuar me tremujorin e parë 2026. Ndërkohë, pjesëmarrja në forcat e punës për grupmoshën 15-64 vjeç arriti në 76.3%.
INSTAT informon se “në tremujorin e dytë rezultojnë rreth 1.16 milionë persona të punësuar dhe 104.6 mijë të papunë, sipas vlerësimeve të INSTAT të bazuara në anketë”.
Referuar shifrave të INSTAT, “punësimi në bujqësi u tkurr me 5.9% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në industri rënia ishte 3.9%. Në të kundërt, sektori i shërbimeve shënoi rritje të punësimit me 4.2%. Në total, punësimi ishte 0.9% më i ulët se në tremujorin e dytë të vitit 2025”. Për grupmoshën 15-29 vjeç, shkalla e papunësisë arriti në 17.7%, nga 15.7% në tremujorin e dytë të vitit 2025 dhe 16.9% në tremujorin e parë 2026.
Krahasuar me një vit më parë, papunësia te të rinjtë është rritur me 2 pikë përqindjeje, pavarësisht rritjes së pjesëmarrjes së tyre në forcat e punës, e cila arriti në 53%.
Në grupmoshën 30-64 vjeç, treguesit janë më pozitivë. Shkalla e punësimit ishte 78.5%, ndërsa papunësia zbriti në 7.4%, nga 8.1% një vit më parë.
Të dhënat evidentojnë gjithashtu diferenca gjinore në tregun e punës. Pjesëmarrja në forcat e punës ishte 57% për gratë dhe 70.4% për burrat, ndërsa shkalla e punësimit rezultoi 51.8% për gratë dhe 65.1% për burrat. Papunësia ishte 9% te gratë dhe 7.6% te burrat.
Sipas INSTAT, Anketa Tremujore e Forcave të Punës për tremujorin e dytë 2026 është realizuar mbi një kampion prej 7,900 familjesh, me shkallë përgjigjeje 83.9%.
Burimi ATSH


















