
Pirdeni prezanton ndryshimet ligjore: Mbyllim kapitullin e reformës së administratës publike
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni prezantoi sot në Kuvend ndryshimet dhe shtesat në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni prezantoi sot në Kuvend ndryshimet dhe shtesat në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.
Në fjalën e saj në seancë plenare, Pirdeni theksoi ky është një ndër ligjet kyçe që Shqipëria duhet të plotësojë për të garantuar mbylljen e kapitullit të reformës së administratës publike.
Sipas saj, “me miratimin e këtij projektligji jemi një hap më afër finalizimit të gjithë këtij procesi për këtë kapitull”.
Pirdeni nënvizoi se projektligji është rezultat i një pune të gjatë më se dyvjeçare me të gjitha institucionet e qeverisjes qendrore dhe ato të pavarura.
Ministrja theksoi se ndryshimet janë dakordësuar me Komisionin Evropian dhe Sigma-n, si dhe janë diskutuar gjerësisht në tryeza të dedikuara me ekspertë dhe grupe interesi, gjatë konsultimit publik.
“Koha e miratimit të këtij projektligji përkon me një moment shumë të rëndësishëm historik ku ne po përgatitemi për mbylljen e kapitujve të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Reforma në administratën publike është një nga kushtet horizontale që Shqipëria duhet të plotësojë për avancimin e mëtejshëm të procesit të negociatave në të gjithë sektorët”, theksoi Pirdeni.
Ministrja solli në vëmendje vlerësimet që Shqipëria ka marrë nga OECD-Sigma, si lider rajonal në fusha kyçe të qeverisjes publike, në menaxhimin e financave publike, në zhvillimin dhe koordinimin e politikave, në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe në qeverisjen dixhitale.
“Mbi këto themele të forta është sot koha për hapin e radhës, modernizimin e organizimit dhe funksionimit të administratës shtetërore për ta ngritur në një tjetër nivel shkallën e llogaridhënies si dhe për funksionimin efiçent të administratës në tërësi”, u shpreh ajo.
Pirdeni theksoi se rishikimi i ligjit aktual paraqet disa risi. “Projektligji synon të thjeshtojë kategorinë e institucioneve jo ministrore në dy kategori, në institucione varësie dhe agjenci autonome. Projektligji rregullon regjimin e tyre juridik të organizimit, funksionimin për të garantuar gjithashtu pavarësitë funksionale të agjencive autonome në përputhjet me standardet më të mira europiane”, shtoi Pirdeni.
Po ashtu, ministrja theksoi se ligji parashikon shprehimisht një sistem të qartë të matjes së performancës institucionale për të gjitha institucionet e varësisë.
Pirdeni theksoi po ashtu se rregullimet në ligj, garantojnë një dekoncentrim të kompetencave, por gjithashtu sigurohemi që shkallët më të larta të vendimmarrjes, sikurse është titullar i institucionit dhe Sekretari i Përgjithshëm të ruajnë kontrollin hierarkik mbi strukturat e tyre në varësi.
“Në përputhje me praktikën dominante të vendeve të BE-së propozohet që zyrtari i kabinetit të konsiderohet në fakt si një zyrtar në marrëdhënie besimi me titullarin e kabinetit që është ministri”, shtoi Pirdeni.
Po ashtu, Pirdeni theksoi se projektligji parashikon që përpara krijimit, riorganizimit dhe bashkimit të institucioneve të kryhet një analizë e thelluar organizativo-funksionale për të siguruar që zbatohen të gjitha rregullat dhe kriteret dhe garantohet optimizimi i institucioneve.
“Projektligji parashikon disa rregulla të qarta për rekrutimin, për zhvillimin në karrierë dhe për largimin nga detyra të punonjësve që shërbejnë pranë njësive të drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve. Bëhet fjalë për punonjësit e institucioneve që rregullohen me Kod Pune për të garantuar që dhe standardet e pranimit të tyre dhe largimit nga puna të jenë të ngjashme me ato të Shërbimit Civil”, tha Pirdeni.
Marrë nga ATSH



















