Policia masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, në një deklaratë për mediat, bëri me dije se Policia Rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, ka marrë një sërë masash shtesë në funksion të mënyrës së re të monitorimit të qarkullimit rrugor, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.


Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, në një deklaratë për mediat, bëri me dije se Policia Rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, ka marrë një sërë masash shtesë në funksion të mënyrës së re të monitorimit të qarkullimit rrugor, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.

Ziu theksoi se janë kalibruar 22 mjete shpejtësimatëse si dhe janë pajisur të gjitha strukturat e Policisë Rrugore, me dronë, kamera, aparate fotografike, aparate alkooltestues dhe drogëtestues.

Më tej Ziu bëri me dije se automjetet në rrugët interurbane, pra në akset rrugore nacionale, do të vijojnë monitorimin e qarkullimit nëpërmjet pajisjeve logjistike dhe patrullave të lëvizshme dhe shkeljet e konstatuara nga mjetet logjistike do të verbalizohen në masa administrative, të cilat do të pasqyrohen në kohë reale në e-Albania.

Sipas tij, patrullat e Policisë Rrugore në akset nacionale do të ndërhyjnë kur konstatojnë sjellje agresive në rrugë, parakalime të njëpasnjëshme, manovra të gabuara apo shpejtësi dy deri në trefish, të cilat janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Njëkohësisht shtoi ai “do të bashkëpunohet me Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, me qëllim që shkeljet e konstatuara t’i kalojnë Policisë Rrugore, për të plotësuar masat administrative”.

“Për sa i përket qendrave urbane, shërbimet e Policisë do të vijojnë me grupe kontrolli për testet e alkoolit, kontrollet për shpejtësi, parakalimet e gabuara, mosdhënien e përparësisë këmbësorëve, përdorimin e celularit dhe të rripit të sigurimit”, tha Ziu.

Njëkohësisht, Ziu bëri me dije se parkimet e gabuara do të jenë në qendër të vëmendjes, duke përdorur edhe mjetet ngritëse për parkimet në korsitë e dedikuara, ku bllokohet lëvizja e lirë e automjeteve apo e këmbësorëve.

Ziu tha se janë analizuar të gjithë treguesit e performancës për 4-mujorin e vitit 2026, krahasuar me 4-mujorin e vitit 2025.

Sipas tij, pavarësisht se ka një përmirësim të lehtë, përsëri sjelljet agresive në rrugë duke shkaktuar aksident me pasojë humbjen e jetës apo plagosjen, janë shumë shqetësuese.

“Nga analiza e bërë rezulton se dinamika dhe shkaqet e aksidenteve, janë pothuajse të njëjtat si për 4-mujorin e vitit të kaluar. Përgjatë këtij 4-mujori, si rezultat i monitorimit të qarkullimit, janë arrestuar 1009 drejtues automjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

“82 100 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për shpejtësi mbi normat e lejuara, që varojnë nga 20 km/orë mbi normën e lejuar deri në trefish të normës së lejuar. 815 drejtues automjetesh nuk kanë asnjë pikë në lejen e drejtimit dhe do t’i nënshtrohen testimit nga e para.

“27 000 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për parakalime të gabuara, rreth 60 000 drejtues mjetesh për drejtim mjeti pa rrip sigurimi, duke përdorur celularin apo për drejtim motomjeti pa kaskë mbrojtëse. 160 000 masa administrative janë vendosur për parkime të gabuara dhe 85 000 për shkelje të ndryshme”, tha ai.

Sipas statistikave, sqaroi Ziu, dallohet qartë se numri më i lartë i aksidenteve me pasojë ka si shkak shpejtësinë dhe më pas vjen sjellja e këmbësorëve, 33% e viktimave janë këmbësorë, drejtues motomjetesh dhe biçikletash.

Ai bëri me dije se të gjithë treguesit e 4-mujorit të këtij viti tregojnë se ka rritje të evidentimit dhe ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

“Njëkohësisht janë evidentuar drejtuesit e automjeteve me shkelje të përsëritura dhe iu është kërkuar strukturave të Policisë Rrugore, që të marrin masa të menjëhershme për monitorimin dhe mbajtjen në kontroll të vazhdueshëm të këtyre drejtuesve, që janë shkelës të përsëritur të rregullave të qarkullimit, me pasojë për jetën dhe shëndetin”, tha ai.

Ziu theksoi më tej se, “nisur nga perceptimi i gabuar në publik, se drejtuesit e mjeteve nuk do të ndalohen nga patrullat, sqarojmë opinionin publik dhe përdoruesit e rrugës se:

“Detyrat e vendosura në Telegramin nr. 3707, datë 10.04.2026, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, “Mbi marrjen e masave për garantimin e qarkullimit të pandërprerë të mjeteve”, kanë të bëjnë me mosndalimin e automjeteve në akset rrugore nacionale, pa shkak, duke krijuar imazh të keq.

“Në akset rrugore nacionale, Patrullat e Policisë Rrugore të monitorojnë qarkullimin dhe të evidentojnë kundërvajtësit rrugorë nëpërmjet pajisjeve teknologjike. Punonjësit e Policisë, kur evidentojnë dhe dokumentojnë me mjete logjistike, sjellje agresive të drejtuesve të automjeteve, do të veprojnë në zbatim të Kodit Rrugor. Gjithashtu, të organizojnë pika kontrolli në qendrat urbane, sipas kushteve të sigurisë, në drejtimin e shefave të seksioneve dhe shefave të sektorëve të Policisë Rrugore, sipas planeve të dedikuara me objekt konkret (kontrolle për pije alkoolike, përdorimin e celularëve, kaskave mbrojtëse për drejtuesit e motomjeteve, mjeteve debitore dhe “Alert”, etj.)”, tha ai.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Çdo sjellje agresive në rrugë apo ndaj punonjësve të Policisë do të ndëshkohet maksimalisht, me të vetmin qëllim: rritjen e sigurisë së jetës në rrugë.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Me rastin e 8-vjetorit të shoqatës “Komuniteti malazez në Shqipëri”

Tetë vjet më parë u themelua shoqata “Komuniteti malazez në Shqipëri” (ZCGA)

Global 360

Tre kongresistë paraqesin rezolutë në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për…

Diplovista

Rama për “Il Giornale”: Shumë vende evropiane e kanë kërkuar, por marrëveshja për migrantët vlen vetëm për Italinë

Të hysh në studion e Edi Ramës është një goditje e papritur. Pasi i nënshtrosh.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Shqipëria në BE, projekt më i madh se amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Diasporës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Me rastin e 8-vjetorit të shoqatës “Komuniteti malazez në Shqipëri”

Tetë vjet më parë u themelua shoqata “Komuniteti malazez në Shqipëri” (ZCGA)