
Xhakartë, aktivitet promovues për versionin në gjuhën angleze të Vëllimit V të librit “Xi Jinping: Qeverisja e Kinës”
Në kryeqytetin e Indonezisë Xhakartë u zhvillua të martën aktiviteti promovues për botimin e versionit në gjuhën angleze të Vëllimit V të librit “Xi Jinping: Qeverisja e Kinës” .

Në kryeqytetin e Indonezisë Xhakartë u zhvillua të martën aktiviteti promovues për botimin e versionit në gjuhën angleze të Vëllimit V të librit “Xi Jinping: Qeverisja e Kinës” .
Pjesëmarrësit e ftuar ishin të një mendjeje që Vëllimi V i librit “Xi Jinping: Qeverisja e Kinës” pasqyron në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe sistematike zhvillimet më të fundit në Mendimin e Xi Jinping-ut mbi Socializmin me Karakteristika Kineze për Epokën e Re dhe është një vepër autoritare për komunitetin ndërkombëtar për të kuptuar Kinën bashkëkohore. Aktualisht, Kina ka nisur një udhëtim të ri të Planit të 15-të Pesëvjeçar dhe Indonezia po ecën vazhdimisht drejt vizionit të saj “Indonezia e Artë 2045”. Të dy vendet po punojnë së bashku për të promovuar harmonizimin e strategjive të tyre dhe për të thelluar bashkëpunimin për zhvillim, gjë që jo vetëm do të sjellë përfitime të prekshme për popujt e tyre, por gjithashtu do të sjellë një vrull të fortë në forcimin e Jugut Global dhe përmirësimin e sistemit të qeverisjes globale.

Kryetari i Asamblesë Konsultative Popullore të Indonezisë, Ahmad Muzani/Foto nga Xinhua
Në fjalën e tij, Ahmad Muzani, kryetar i Asamblesë Konsultative Popullore të Indonezisë, u shpreh që libri “Xi Jinping: Qeverisja e Kinës” ofron njohuri të vlefshme për diplomatët, akademikët dhe politikëbërësit indonezianë. Ai shtoi se ky aktivitet i promovimit të librit ofron një platformë të rëndësishme për thellimin e shkëmbimeve në fushën intelektuale midis Kinës dhe Indonezisë. Ai shprehu shpresën që më shumë zyrtarë të qeverisë indoneziane, studiues dhe të rinj do ta lexojnë këtë vepër të rëndësishme për të thelluar kuptimin e tyre mbi rrugën e zhvillimit dhe filozofinë e qeverisjes së Kinës, si dhe për të zgjeruar ndërgjegjësimin e tyre për zhvillimin e ardhshëm të botës dhe njerëzimit.

Ministri indonezian i Lëvizshmërisë së Popullsisë, Muhammad Iftitah Sulaiman Suryanagara/Foto nga Xinhua
Ministri indonezian i Lëvizshmërisë së Popullsisë, Muhammad Iftitah Sulaiman Suryanagara, theksoi se gjatë vizitës në Kinë, ai pa përpjekjet e Kinës për të eliminuar varfërinë nëpërmjet një filozofie zhvillimi të përqendruar te njerëzit. Konceptet e rëndësishme dhe praktikat inovative të Kinës në uljen e varfërisë, zhvillimin rural dhe zhvillimin e koordinuar rajonal ofrojnë një zgjidhje sistematike nga e cila Indonezia mund të mësojë për përparimin e rregullt të zhvendosjes së popullsisë dhe përshpejtimin e zhvillimit në rajonin e saj lindor.
Gjatë këtij aktiviteti, përfaqësuesit e palës kineze u dhuruan mysafirëve indonezianë kopje të botimit në gjuhën angleze të Vëllimit V të librit “Xi Jinping: Qeverisja e Kinës”. Ekspertë dhe studiues pjesëmarrës shkëmbyen pikëpamje mbi tema të tilla si mundësitë e zhvillimit gjatë periudhës së Planit të 15-të Pesëvjeçar, modernizimi i përbashkët dhe përvojat e pakësimit të varfërisë. Përfaqësuesit e kuadrove të fshatrave indonezianë që morën pjesë në një program trajnimi në Kinë, treguan mbi përfitimet e tyre nga studimet dhe shkëmbimet në Kinë, si edhe për mënyrën se si i zbatuan këto përvoja në qeverisjen e fshatrave të tyre pas kthimit në atdhe.
Ky aktivitet u organizua bashkërisht nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës, Ministria indoneziane e Lëvizshmërisë së Popullsisë dhe Administrata e Botimeve në Gjuhë të Huaja e Kinës dhe ambasada kineze në Indonezi. Në aktivitet morën pjesë rreth 200 të ftuar nga Kina e Indonezia, si edhe përfaqësues nga sektorë si botimet, grupet e ekspertëve, media etj.
Burimi CGTN



















