Hoxha: NATO-ja aleanca jonë e vetme, dënojmë retorikën që cenon stabilitetin në veri të Kosovës

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi sot ndaj deklaratave të fundit nga autoritetet serbe, përfshirë edhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, për aleancë trepalëshe të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, kundër Serbisë.


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi sot ndaj deklaratave të fundit nga autoritetet serbe, përfshirë edhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, për aleancë trepalëshe të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, kundër Serbisë.

Hoxha theksoi se Shqipëria nuk është pjesë e asnjë aleance kundër Serbisë dhe mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit rajonal. Hoxha tha se e vetmja aleancë në të cilën Shqipëria bën pjesë është ajo e NATO-s.

“Së pari, pretendimet për një të ashtuquajtur “aleancë tripalëshe” kundër Serbisë janë të pavërteta dhe tërësisht të ekzagjeruara. Sado me forcë apo në mënyrë të përsëritur të përmendet kjo, nuk e bën të vërtetë. Shqipëria nuk është pjesë e asnjë aleance rajonale apo tjetërsoj të drejtuar kundër ndonjë vendi të rajonit. Ne ndajmë të njëjtën qasje me partnerë dhe aleatë të tjerë rajonalë, përfshirë Kroacinë, për këtë çështje. E vetmja aleancë ku Shqipëria bën pjesë është Aleanca Atlantike, NATO, së bashku me Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe vende të tjera aleate, e cila i ka dyert e hapura edhe për Serbinë”, tha ai gjatë një prononcimi për Top Channel.

Duke folur për politikën e jashtme të vendit, Hoxha nënvizoi se ajo bazohet në bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë.

“Në këtë kuadër, çdo bashkëpunim me partnerët tanë synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë, si dhe mbështetjen për Republikën e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike – jo kundër ndokujt dhe aq më pak kundër Serbisë. Kjo është një zgjedhje sovrane e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, dhe Shqipëria është e gatshme ta mbështesë në mënyrë konstruktive dhe të vazhdueshme”, tha ai.

Ministri theksoi gjithashtu se Shqipëria ka zgjedhur të mos përfshihet në retorika të panevojshme.

“Ne flasim përmes angazhimit tonë konkret në NATO, në Procesin e Berlinit dhe në çdo nismë, rajonale apo me shtrirje më të gjerë, që synon stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e rajonit. Këto qëndrime ua kemi bërë të qarta edhe bashkëbiseduesve tanë nga Serbia dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë me qetësi, maturi dhe durim”, tha ai.

Në lidhje me raportet me Serbinë, ai theksoi se Shqipëria mbetet e hapur për marrëdhënie konstruktive.

“Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të marrëdhënieve normale dhe konstruktive me Serbinë,” deklaroi Hoxha, duke shtuar se e ardhmja e rajonit duhet të ndërtohet mbi dialogun dhe integrimin evropian.

Duke ndalur te çështjet e sigurisë, ai pranoi se Serbia ka rritur kapacitetet ushtarake, por paralajmëroi kundër krijimit të klimës së tensioneve.

“Në të njëjtën kohë, ndërsa mbështet në mënyrë të pakushtëzuar Kosovën, zhvillimin dhe modernizimin e saj dhe avancimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit në rrugën euroatlantike, Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të marrëdhënieve normale dhe konstruktive me Serbinë. Kjo është në pajtim të plotë me qëndrimet tona parimore dhe pjesë e një vizioni më të gjerë për një rajon që, nëse nuk e harron të kaluarën, bën çdo përpjekje për ta kapërcyer atë përmes dialogut, bashkëpunimit dhe integrimit evropian.

“Eshtë e rëndësishme të ndajmë qartë faktet nga perceptimet. Është e vërtetë që Serbia ka rritur kapacitetet e saj ushtarake dhe ka zhvilluar bashkëpunime në këtë fushë me aktorë të ndryshëm, përfshirë Rusinë dhe Kinën. Kjo është një zgjedhje sovrane e saj. Kjo nuk kalon pa u vënë re, as këtu, as në Bruksel dhe, dua të besoj, as në Uashington. Por njëkohësisht, kjo nuk duhet të përdoret për të krijuar një klimë alarmi apo për të justifikuar përshkallëzime të panevojshme në rajon”, tha ai.

Sa i përket Kosovës, ministri rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

“Lidhur me Republikën e Kosovës, nuk besoj se ka nevojë për ndonjë koment shtesë pasi qëndrimi ynë është i njohur dhe i qartë: Shqipëria mbështet fort e pa asnje medysheje sovranitetin dhe integritetin territorial të saj dhe dënojmë çdo veprim apo retorikë që cenon stabilitetin në veri apo diku tjetër. Por po aq e rëndësishme është që të ruhet qetësia, të shmangen provokimet dhe të ecet përpara përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e KFOR-it si një faktor kyç për sigurinë në rajon.

“KFOR është në Kosovë jo për turizëm, por si një instrument kyç i sigurisë ndërkombëtare”, deklaroi Hoxha, duke shtuar se prania e KFOR është “është një garanci konkrete sigurie, jo vetëm për institucionet e Kosovës, por për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim.

“Roli i KFOR-it është thelbësor edhe si faktor parandalues ndaj çdo veprimi që mund të cenojë stabilitetin në veri të Kosovës apo më gjerë. Prania e tij është një mesazh i qartë se siguria në Kosovë dhe në rajon nuk lihet në vakum, por mbështetet në një arkitekturë të fortë ndërkombëtare sigurie, ku NATO dhe aleatët luajnë një rol të pazëvendësueshëm”, tha ai.

“Pikërisht për këtë arsye, çdo zhvillim në terren duhet parë në këtë kontekst: Kosova nuk është e vetme dhe paqja në të është një prioritet i përbashkët ndërkombëtar. E kemi thënë dhe do ta përsërisim: çdo cenim i sigurisë së Kosovës përbën njëkohësisht edhe cenim të sigurisë së Shqipërisë”, tha ai.

Në fund, ministri theksoi se Shqipëria do të vijojë të ndjekë një qasje të matur dhe të koordinuar me aleatët ndërkombëtarë.

“Në fund, dua të theksoj se paqja nuk është dobësi dhe qetësia nuk është mungesë reagimi. Përkundrazi, është një zgjedhje strategjike. Shqipëria nuk do të bëhet pjesë e retorikave që ushqejnë tensione, por do të vijojë të jetë një faktor stabiliteti, duke vepruar me maturi, në koordinim të plotë me aleatët dhe me fokus të qartë: sigurinë, paqen dhe të ardhmen evropiane të rajonit”, tha ai.

/Marrë nga ATSH

Gjykata Kushtetuese zhvillon praktikën gjyqësore koherente për mbrojtje më të fortë të të drejtave themelore

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve…

Global 360

Kosova ende pa një marrëveshje për president, kush do ta drejtojë vendin?

Më 4 prill, Vjosa Osmani mbaron mandatin e saj si presidente

Diplovista

Pirdeni: Prioritet angazhimi i diasporës për përshpejtimin e integrimit në BE

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni deklaroi sot se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Shqipëria në BE, projekt më i madh se amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Diasporës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Gjykata Kushtetuese zhvillon praktikën gjyqësore koherente për mbrojtje më të fortë të të drejtave themelore

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve…