
Shkolla “22 Tetori” në Berat shndërrohet në qendër moderne arsimi dhe komunitare
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot në Berat punimet për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “22 Tetori”, një investim që synon të krijojë një hapësirë moderne dhe dinjitoze për arsimin në qytet.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot në Berat punimet për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “22 Tetori”, një investim që synon të krijojë një hapësirë moderne dhe dinjitoze për arsimin në qytet.
Pas gjimnazit “Babë Dudë Karbunara”, i ndërtuar më herët, edhe shkolla “22 Tetori” do t’u ofrojë rreth 500 nxënësve kushte bashkëkohore mësimi, me laboratorë modernë, “smart lab”, palestër dhe klasa të standardeve europiane.
Në projekt parashikohet gjithashtu krijimi i hapësirave për artin dhe zejet, duke e shndërruar shkollën jo vetëm në një institucion arsimor, por edhe në një qendër komunitare që bashkon nxënësit, mësuesit dhe prindërit.
Godina ekzistuese i ka lënë vendin një strukture të re, moderne, e cila ndërthur elemente bashkëkohore me ato të traditës dhe ofron standardet më të larta për procesin mësimor.
Shkolla e re përfshin salla shumëfunksionale, laboratorë, bibliotekë, dhomë mjeku, hapësira për nxënësit me aftësi ndryshe, palestër, si dhe ambiente ndihmëse.
Po ashtu, projekti përfshin edhe një tarracë të gjelbëruar si hapësirë rekreative për nxënësit.
Arkitektura e re e shkollës do të plotësojë ansamblin e qendrës së qytetit, së bashku me sheshet e reja, rrugët e rehabilituara me kalldrëm dhe gjimnazin “Babë Dudë Karbunara”.
Marrë nga ATSH



















