
Rama: Rritje graduale e pensioneve deri në 5-fishim të tyre në vitin 2030
Në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me pensionistë në Berat, ku prezantoi politikat mbështetëse dhe planin afatmesëm për rritjen e pensioneve.

Në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me pensionistë në Berat, ku prezantoi politikat mbështetëse dhe planin afatmesëm për rritjen e pensioneve.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, realisht i vjen mirë që ka qëndruar në këtë detyrë deri kur u bë e mundur që më në fund të përcaktohej një plan financiar i mbështetur nga buxheti për një kapërcim real të pensioneve nga pamjaftueshmëria ku ishin, drejt një niveli të arsyeshëm, jo të mjaftueshëm, por të arsyeshëm.
Ai theksoi se pensionet kanë qenë prioritet i qeverisë, por rritja e tyre është sfiduar historikisht nga struktura e skemës së sigurimeve shoqërore dhe mungesa e konsolidimit të saj në të kaluarën.
“Që në krye të herës pensionistët kanë qenë prioritet për mua dhe për ne, por rritja e pensioneve ka qenë dhe është gjithmonë më e vështira, sepse pensionet funksionojnë në bazë të një skeme të sigurimeve shoqërore dhe, nëse kjo skemë nuk është solide, por në vend që të jetë një skemë solide është një gropë e madhe si ajo që trashëguam, atëherë bëhet tejet e vështirë të imagjinosh një rritje të arsyeshme pensionesh pa rrezikuar themelet e gjithë ekonomisë. Për këtë arsye, ju kam thënë vazhdimisht kur më pyesnit se e kemi prioritet, por duhet të rrisim ekonominë dhe duhet të rrisim mundësitë që të mund t’i qasemi këtij prioriteti, ndryshe është e pamundur”, tha Rama.
Rama u ndal edhe te debatet mbi pagat, duke theksuar se rritja e pagave në sektorin publik kontribuon në rritjen e të ardhurave nga sigurimet shoqërore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në skemën e pensioneve.
“Shpesh herë sillej në vëmendje: jo po rriten pagat e deputetëve, jo po rriten pagat. Pagat e deputetëve janë 140, dhe sikur ta mbyllnim fare Parlamentin dhe t’i shpërndanim ato paga për pensionet, do të ishte një pikë uji në oqean. Ashtu sikundër rritja e pagave të të tjerëve është diçka që gjithmonë duhet t’i gëzojë pensionistët, sepse në çdo pagë që rritet ka një kontribut sigurimesh që rritet, dhe ai kontribut shkon për ju”, iu drejtua Rama pensionistëve.
Rama shtoi se situata ka qenë e vështirë për vite me radhë, për shkak të borxheve të trashëguara dhe krizave të njëpasnjëshme, por sipas tij, pas stabilizimit të financave dhe investimeve të reja, është krijuar mundësia për një plan të qëndrueshëm për rritjen e pensioneve.
“Por gjithsesi ishte shumë e qartë, ishte shumë stresuese pamundësia, dhe erdhi momenti kur ne e pamë qartë mundësinë, sepse kaluam një fazë të parë të qeverisjes duke mbyllur gropa të panumërta borxhesh dhe gjithëfarëlloj papërgjegjshmërish. Pastaj filluam investimet serioze dhe, pavarësisht se rrugës u desh të përballemi me tërmetin, me pandeminë, deri edhe me pasojat në çmimet e energjisë të një lufte që s’kishte lidhje me ne fare, ne ia dolëm që të jemi i vetmi vend që nuk e ka rritur, por e ka ulur çmimin e energjisë elektrike”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se skema e rritjes së pensioneve është e garantuar 100% në buxhet.
“Tani ia dolëm që të vijmë tek ju dhe t’ju shikojmë pa sikletin e madh që s’kemi çfarë t’ju themi për pensionet. Sepse skema e rritjes përmes atij niveli që përmendi ministrja, me dyfishim të përvitshëm të rritjes së vitit të mëparshëm, është e garantuar 100% në buxhet”, tha Rama.
“Çfarë ju është rritur këtë janar do të vazhdojë çdo muaj dhe do t’ju dyfishohet në janarin e ardhshëm. Do t’ju trefishohet në janar të 2028-ës, do t’ju katërfishohet në janar të 2029-ës dhe do t’ju pesëfishohet në janar të 2030-ës”, theksoi Kryeministri.
Burimi ATSH



















