
Pirdeni: KE prezanton raportin e Shqipërisë para 27 vendeve anëtare
Ministrja e Administratës dhe Antikorrupsionit, Adea Pirdeni tha sot se Shqipëria ka arritur të hapë 33 kapitujt në një kohë rekord, duke tejkaluar ritmet e vendeve të tjera aspirante.

Ministrja e Administratës dhe Antikorrupsionit, Adea Pirdeni tha sot se Shqipëria ka arritur të hapë 33 kapitujt në një kohë rekord, duke tejkaluar ritmet e vendeve të tjera aspirante.
Në një intervistë për TV Klan, Pirdeni tha se fokusi aktual mbetet te piketat e ndërmjetme, të cilat lidhen drejtpërdrejt me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, fuqizimin e kapaciteteve administrative.
Ministrja Pirdeni vuri në dukje se qeveria shqiptare është në pritje të raportit vlerësues nga Komisioni Europian, i cili do t’u prezantohet 27 vendeve anëtare.
“Shqipëria është në një fazë kritike të zhvillimit të negociatave dhe të anëtarësimit. Kemi hapur në një kohë rekord 33 kapitujt e negociatave, proces i cili në vendet e tjera të cilat janë të njëjtën linjë me ne u është dashur një kohë më e gjatë. Njëkohësisht Shqipëria ndodhet në një fazë të negociatave ku Komisioni Europian do të duhet të prezantojë përpara 27 vende anëtarë raportin për vlerësimin e plotësimit të piketave të ndërmjetme, të cilat kanë të bëjnë me kushtet që i kanë vendosur Shqipërisë përpara mbylljes së kapitujve në çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë, me luftën kundër korrupsionit e kështu me radhë. Shqipërisë i janë vendosur detyra”, nënvizoi Pirdeni.
Ministrja Pirdeni u shpreh se “jemi munduar që të kemi një dosje solide për Shqipërinë dhe e kemi një dosje solide. Mendoj që ky proces do të vazhdojë me të njëjtat ritme, në mos edhe më të përshpejtuara, sidomos pas raportit për piketat e ndërmjetme për Shqipërinë, që më pas të fillojë një nga një të mbyllë të gjithë kapitujt deri në vitin 2027”.
“Ne presim që ato kapituj që janë më të avancuar të mbyllen sa më shpejt. Sigurisht që duam që të përforcojmë kapacitetet tona në ato kapituj ku ne do të kemi më shumë punë”, tha Piderni.
/Marrë nga ATSH


















