
Thellohet bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në bujqësi
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.
Gjatë takimit u rikonfirmua vullneti i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në funksion të zhvillimit të sektorit bujqësor dhe mbështetjes së fermerëve.
Palët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në shkëmbimet tregtare të produkteve bujqësore, sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe zinxhirin e plotë agroushqimor, si dhe ndarjen e praktikave dhe përvojave më të mira.
Ministri Salla theksoi se Shqipëria po punon intensivisht për përshtatjen e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian në kuadër të kapitujve 11, 12 dhe 13, ndërsa u dakordësua që bashkëpunimi teknik të vijojë përmes takimeve periodike për ndjekjen e zbatimit të marrëveshjeve dhe avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Palët ndanë gjithashtu objektivin për ndërtimin e një tregu më të integruar, të hapur dhe konkurrues, duke u mbështetur në standardet e Bashkimit Europian, digjitalizimin e shërbimeve dhe forcimin e besimit reciprok mes institucioneve.
Ministri tha se, “ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit të qëndrueshëm në sektorin bujqësor, me qëllim rritjen e prodhimit, përmirësimin e cilësisë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit”.
Marrë nga ATSH



















