
Paketa e Maleve, Rama: Disa bashki progres me procedurat dhe marrjen e lejes
Kryeministri, njëherësh Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi sot se disa bashki jo vetëm që kanë bërë progres me procedurat lidhur me Paketën e Maleve

Kryeministri, njëherësh Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi sot se disa bashki jo vetëm që kanë bërë progres me procedurat lidhur me Paketën e Maleve, por tanimë kanë kryesuar edhe atë objektivin bazë të 10 projekteve për t’u nënshkruar edhe për të kaluar në procesin e marrjes së lejes”.
Gjatë takimit me kryetarët e bashkive për punët e Shqipërisë, Rama tha se “kjo është diçka pozitive. Vetëm në njërën nga bashkitë, janë 5 milionë euro të llogaritura nga 10 investimet e para në Paketën e Maleve nga persona që janë në emigracion dhe që e kanë marrë këtë mesazh, siç e kanë marrë shumë të tjerë”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se për Paketën e Maleve interesi është shumë i madh.
Paketa e Maleve synon të krijojë kushte të favorshme për tërheqjen e investimeve dhe të nxisë zhvillimin ekonomik e turistik në zonat malore, por edhe në zona të tjera të vendit. Kjo paketë synon forcimin e kohezionit social, rimëkëmbjen ekonomike, rritjen e të ardhurave bashkiake, nxitjen e investimeve dhe frenimin e emigracionit.
Burimi ATSH


















