
Dita e Mjekëve, Rama: Kontributi i tyre thelbësor për shërbime më cilësore
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mjekëve, kryeministri Edi Rama shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për punën e mjekëve shqiptarë.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mjekëve, kryeministri Edi Rama shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për punën e mjekëve shqiptarë.
Në një publikim në rrjetet sociale, Rama nënvizoi se kontributi i mjekëve është thelbësor në avancimin e një shëndetësie që përmbush standardet europiane, duke garantuar shërbime më cilësore, akses dhe kujdes të barabartë për çdo qytetar.
Kryeministri Rama shprehu vlerësim për përkushtimin, profesionalizmin dhe humanizmin e çdo mjeku që çdo ditë vendos në qendër jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
Me këtë rast, mjekë të profileve të ndryshme nga spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në Tiranë deri në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalin e Traumës përcollën mesazhet e tyre.
“Çdo lindje është një histori e re, një fillim i ri, një shpresë e re. Për mua si mjeke obstetre- gjinekologe të kujdesesh për shëndetin e nënës dhe të foshnjës nuk është vetëm një përgjegjësi profesionale, por edhe një angazhim njerëzor”, u shpreh mjekja.
Një tjetër mjeke në QSUNT, shprehet se stafi mjekësor, infermieror është në shërbim të pacientëve, 24/7, me dedikim për të ofruar një trajtim cilësor në diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve.
Doktoreshë Yesim Çetin Sahan, specialiste e sëmundjeve të brendshme shprehet se si mjekë, ata i kushtojnë më shumë rëndësi parandalimit se trajtimit të sëmundjeve.
Por, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mjekëve, Sahan jep mesazhin e rëndësishëm për qytetarët që shëndeti është pasuria më e madhe që ata kanë.
Burimi ATSH


















