
Gonxhja: Investimi në art, kulturë dhe sport, prioritet strategjik për edukimin e të rinjve
Ministri për Turizmin, Kulturën dhe Sportin, Blendi Gonxhja, mori pjesë në Konferencën Mbarëkombëtare për Edukimin Pas Shkollor.

Ministri për Turizmin, Kulturën dhe Sportin, Blendi Gonxhja, mori pjesë në Konferencën Mbarëkombëtare për Edukimin Pas Shkollor.
Gonxhja tha se, së bashku me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendos Ervin Demo, diskutuam mbi rëndësinë e aktiviteteve jashtëkurrikulare për zhvillimin gjithëpërfshirës të nxënësve, me fokus të veçantë te formimi kulturor dhe zhvillimi i aftësive të reja tek fëmijët dhe të rinjtë.
Gonxhja nënvizoi se investimi në art, kulturë dhe sport është një prioritet strategjik kombëtar, i cili lidhet direkt me cilësinë e arsimit, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe forcimin e identitetit kulturor.
Sipas ministrit, vetëm gjatë periudhës janar–shkurt 2026, nëpërmjet programit “Edukimi përmes Kulturës”, institucionet e art-kulturës në vend organizuan 78 aktivitete me mbi 3,500 pjesëmarrës, duke reflektuar rritjen e aksesit dhe përfshirjes së të rinjve në jetën artistike dhe kulturore të vendit.
Aktivitetet pas-shkollore të MTKS, përmes Qendrës Kulturore për Fëmijë, ofrojnë programe të strukturuara në kanto, piano, balet, violinë, aktrim, skenografi etj, ndërsa përfshirja e talenteve të reja në Korin e Zërave të Bardhë të TKOBAP shërben si model konkret i zhvillimit të talenteve dhe edukimit artistik cilësor.
Një shtysë të mëtejshme për rritjen e kapaciteteve artistike dhe kulturore e jep edhe Catalyst, i cili ofron kurse dhe trajnime të specializuara për fëmijë dhe të rinj, përfshirë edhe Hollywood acting classes, duke krijuar ura mes formimit artistik vendas dhe standardeve ndërkombëtare.
Ministri Gonxhja gjithashtu njoftoi se shumë shpejt do të vihet në dispozicion një godinë e re për Qendrën Kulturore për Fëmijë, me më shumë hapësira dhe standarde të përmirësuara për zhvillimin e aktiviteteve artistike dhe kulturore, duke mundësuar përfshirjen e një numri më të madh fëmijësh dhe të rinjsh në të gjithë vendin.
Ky investim, theksoi Gonxhja, synon jo vetëm zhvillimin e aftësive artistike dhe kulturore të të rinjve, por edhe forcimin e identitetit kombëtar dhe promovimin e Shqipërisë si një vend që mbështet talentin dhe edukimin gjithëpërfshirës.
Marrë nga ATSH


















