
Gonxhja: Programi “Edukimi përmes kulturës”, 78 evente me mbi 3500 pjesëmarrës në janar-shkurt
Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë sot në konferencën mbarëkombëtare për edukimin passhkollor.

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë sot në konferencën mbarëkombëtare për edukimin passhkollor.
Gjatë aktivitetit, ku të pranishëm ishin edhe ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, Gonxhja tha se u diskutua mbi rolin e aktiviteteve jashtëkurrikulare për zhvillimin gjithëpërfshirës të nxënësve, veçanërisht për rolin e formimit kulturor në zhvillimin e aftësive të reja tek fëmijët dhe të rinjtë.
Gonxhja pohoi se “investimi në art, kulturë dhe sport është një prioritet strategjik kombëtar, i cili lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e arsimit, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe forcimin e identitetit kulturor”.
“Vetëm në periudhën janar-shkurt 2026, nëpërmjet programit “Edukimi përmes Kulturës”, nga institucionet e art-kulturës në vend, janë organizuar 78 evente me mbi 3500 pjesëmarrës, duke reflektuar rritjen e aksesit dhe përfshirjes së të rinjve në jetën artistike”, tha ai.
“Angazhimet pas shkollore të MTKS, përmes Qendrës Kulturore për Fëmijë, me programe të strukturuara në kanto, piano, balet, violinë, aktrim, skenografi etj., si dhe përfshirja e talenteve të reja në muzikë, Kori i Zërave të Bardhë të TKOBAP, përbëjnë një model konkret të zhvillimit të talenteve dhe të edukimit artistik cilësor”, vijoi Gonxhja.
Ministri Gonxhja tha se “një vlerë e shtuar në këtë ekosistem është edhe Catalyst, i cili sjell kurse dhe trajnime të specializuara për fëmijë dhe jo vetëm, përfshirë edhe Hollyëood acting classes, duke krijuar ura reale mes formimit artistik vendas dhe standardeve më të mira ndërkombëtare”.
“Ndërkohë, shumë shpejt do të vihet në dispozicion një godinë e re për Qendrën Kulturore për Fëmijë, me më shumë hapësira, më shumë mundësi dhe standarde të përmirësuara për zhvillimin e aktiviteteve artistike dhe kulturore për fëmijët dhe të rinjtë në të gjithë vendin”, tha Gonxhja.
Burimi ATSH



















