Reformat në tregjet financiare, Xhemali takim me përfaqësues të Bankës Botërore
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Adela Xhemali e shoqëruar nga ekipi drejtues i Autoritetit, zhvilloi një takim me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore kryesuar nga Rekha Reddy, përfaqësuese e sektorit financiar për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore e Bankës Botërore në Washington.

AMF, bën me dije se në fokus të këtij takimi ishin reformat në tregjet financiare dhe mbështetja për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, në kuadër të misionit për përgatitjen e një programi Financimi për Politikat e Zhvillimit (DPF).
Gjatë takimit u diskutuan fushat ku Banka Botërore mund të ofrojë mbështetje për avancimin e reformave prioritare në sektorin financiar.
Në takim u trajtuan mundësitë e bashkëpunimit për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, implementimin e kuadrit rregullator në fushën e kripto-aseteve, përmirësimin e kuadrit ligjor për pensionet private, si dhe zhvillimet ligjore në fushën e sigurimeve dhe risigurimeve.
Xhemali theksoi rëndësinë e vijimësisë së mbështetjes së Bankës Botërore, jo vetëm gjatë transpozimit të direktivave sektoriale europiane, në kuadrin ligjor dhe rregullator të Autoritetit, por veçanërisht në fazën e implementimit për të siguruar zbatimin efektiv të këtyre ndryshimeve ligjore, si nga ana e Autoritetit ashtu edhe nga operatorët e tregjeve nën mbikëqyrje.
Drejtuesja e AMF-së, njëherësh vlerësoi bashkëpunimin me Bankën Botërore, duke theksuar se mbështetja dhe asistenca e vazhdueshme e këtij institucioni kanë qenë një kontribut i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e reformave.
Burimi ATSH