
Hoxha: Samiti i Diasporës, moment i rëndësishëm për promovimin e trashëgimisë sonë gjuhësore
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri me dije se gjatë vizitës në Bruksel, diskutimet u përqendruan jo vetëm te Bashkimi Evropian, por edhe te roli i Diasporës.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri me dije se gjatë vizitës në Bruksel, diskutimet u përqendruan jo vetëm te Bashkimi Evropian, por edhe te roli i Diasporës.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha nënvizoi se takimet me diasporën janë gjithmonë një pjesë thelbësore e çdo programi sepse shqiptarët, kudo që jetojnë, mbeten një forcë e rëndësishme dhe një lidhje e gjallë me vendin tonë.
Ministri Hoxha, ishte i pranishëm në një mbrëmje të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Belgjikë, për të nderuar punën e palodhur të mësuesve të shkollave shqipe në Diasporë.
“Me përkushtim, durim dhe dashuri për gjuhën dhe kulturën tonë, këta mësues mbajnë gjallë shqipen larg atdheut, duke kultivuar te brezat e rinj vlerat tona kombëtare dhe duke forcuar ndjenjën e identitetit shqiptar”, tha Hoxha.
Ministri Hoxha, duke u ndalur te puna e mësuesve shqiptarë në diasporë, e cilësoi angazhimin e tyre si një mision fisnik për të ruajtur lidhjen e fëmijëve shqiptarë me rrënjët, historinë dhe traditat.
“Mirënjohje e thellë për të gjithë mësuesit dhe prindërit, të cilët me përkushtimin e tyre bëjnë që gjuha shqipe të jetojë, të zhvillohet dhe të transmetohet edhe përtej kufijve. Samiti i Diasporës, nën moton “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”, që do të mbahet më 14–15 prill 2026 në Tiranë, do të jetë një tjetër moment i rëndësishëm bashkimi dhe kuvendimi për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë gjuhësore, kulturore dhe shpirtërore themeli mbi të cilin ndërtohet identiteti shqiptar përtej kufijve”, vijoi ai.
“Kombi mbahet me gjuhë dhe me kujtesë”, këshillonte kolosi i mendimit shqiptar, Faik Konica. Dhe janë pikërisht mësuesit ata që në diasporë gjenden në vijën e parë të përpjekjeve për të mbajtur gjallë si gjuhën, ashtu edhe kujtesën tonë kombëtare për brezat që rriten larg atdheut, por me shqiptarinë në zemër”, tha Goxha.
Burimi ATSH



















