
Ministria e Mjedisit prezanton planin e zbatimit të direktivës për shkarkimet industriale
Ministria e Mjedisit zhvilloi sot takim konsultativ mbi Direktivën për Shkarkimet Industriale, ku prezantoi Planin Specifik të Zbatimit për sektorin industrial dhe partnerët ndërkombëtarë, si pjesë e reformave të Kapitullit 27 të procesit të integrimit europian.

Ministria e Mjedisit zhvilloi sot takim konsultativ mbi Direktivën për Shkarkimet Industriale, ku prezantoi Planin Specifik të Zbatimit për sektorin industrial dhe partnerët ndërkombëtarë, si pjesë e reformave të Kapitullit 27 të procesit të integrimit europian.
Gjatë takimit, u theksua se ky proces ka për qëllim orientimin e Shqipërisë drejt prodhimit më të pastër dhe rritjen e standardeve mjedisore për industrinë, përmes përdorimit të Teknikave më të Mira të Disponueshme (BAT), në përputhje me acquis të Bashkimi Europian.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj nënvizoi rëndësinë e konsultimit me grupet e interesit, duke i nënshtruar të gjitha përmirësimet ligjore në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike një procesi të gjerë komunikimi, për të garantuar përfshirjen e industrisë dhe partnerëve ndërkombëtarë në hartimin e politikave mjedisore.
Jaupaj gjithashtu vlerësoi mbështetjen e qeverisë suedeze, e cila përmes asistencës teknike po kontribuon në avancimin e reformave mjedisore dhe forcimin e kapaciteteve për zbatimin e standardeve europiane në Shqipëri.
“Me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara dhe mbështetjen e partnerëve tanë, jemi të sigurt se do të avancojmë më tej në reformat mjedisore dhe në rrugën europiane të Shqipërisë”, u shpreh ministri.
Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve për harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane dhe forcimin e politikave për mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e sfidave që lidhen me ndryshimet klimatike.
Burimi ATSH



















