
Elbasani nisi festimet për Ditën e Verës
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cili përshëndeti fëmijët dhe uroi të gjithë qytetarët për festën e Ditës së Verës

Në qytetin e Elbasanit kanë nisur festimet e Ditës së Verës.
Kjo festë me prejardhje të lashtë është kremtuar prej shekujsh dhe përfaqëson një nga traditat më të rëndësishme të qytetit. Të parët që u përfshinë nga festa ishin fëmijët. Në hapësirën përpara bashkisë, fëmijët e klasave përgatitore të shkollave “Ali Agjah”, “Bardhyl Popa”, “Naim Frashëri”, “Jorgji Dilo” dhe “Fadil Gurmani” çelën festimet e Ditës së Verës përmes aktivitetit “Art & Zeje”, një moment simbolik kushtuar pranverës dhe traditave të qytetit.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cili përshëndeti fëmijët dhe uroi të gjithë qytetarët për festën e Ditës së Verës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe përcjelljes së tyre tek brezat më të rinj.
Të vendosur në tavolina të vogla të improvizuara në ambientin e jashtëm, fëmijët realizuan vizatime me motive pranverore, ndërsa u njohën edhe me elementë të artizanatit dhe lojërave tradicionale, duke sjellë përmes ngjyrave dhe krijimtarisë simbolikën e stinës që po afron.
Aktiviteti u ndoq edhe nga prindërit e pjesëmarrësve si dhe qytetarë të tjerë. Nën kujdesin e edukatoreve të tyre, fëmijët interpretuan gjithashtu këngë dhe recitime kushtuar ardhjes së pranverës, duke përcjellë mesazhe gëzimi, paqeje dhe harmonie.
Marrë nga ATSH



















