
Rama: Shqipëria përballoi krizën globale të energjisë pa rritur çmimin për familjet
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se tregu i furnizimit me energji është rregulluar, duke lejuar klientët me tension të mesëm dhe të lartë të operojnë në tregun e lirë të energjisë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se tregu i furnizimit me energji është rregulluar, duke lejuar klientët me tension të mesëm dhe të lartë të operojnë në tregun e lirë të energjisë.
Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama theksoi se “Shqipëria ka përballuar krizën globale energjetike pa rritur çmimin për konsumatorët familjarë, duke u referuar raportit të OECD, i cili thekson se Shqipëria është ndër vendet në Europë që ka arritur këtë pa ndikuar tarifat. Për herë të parë, vendi ka ulur çmimin e energjisë për familjarët me 10%, një masë që Rama e konsideroi të paprecedent në rajon”.
Ai gjithashtu njoftoi se programi i eficiencës së energjisë ka përfshirë 400 familje dhe pritet të mbështesë shumë të tjera.
Nga krijimi i tij në vitin 2024, volumet e shitjeve të energjisë janë rritur me 50%, duke forcuar integrimin ndërkombëtar të projekteve energjetike me Kosovën dhe Maqedoninë, dhe duke punuar për trefishimin e kapaciteteve me Greqinë si dhe ndërtimin e linjës së transmetimit me Itali.
Kryeministri Rama njoftoi se investimet po përqendrohen edhe në rehabilitimin e Kaskadës së Drinit, përfshirë projektet e KESH-it me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë parkun fotovoltaik në Tragjas, Vlorë, 120 megavat.
Ai bëri të ditur gjithashtu nisjen e projektit për karikimin e mjeteve elektrike dhe të projektit NUR, i cili do të mundësojë përdorimin e gazit për herë të parë në Shqipëri. Ky projekt përfshin një marrëveshje trilaterale Shqipëri–Itali–Emiratet e Bashkuara për transmetim energjie, duke vendosur Shqipërinë në një pozicion strategjik në këtë fushë.
Rama nënvizoi se të gjitha këto masa dhe investime synojnë sigurinë energjetike, uljen e kostove për qytetarët dhe forcimin e integrimit rajonal në sektorin energjetik, duke bërë Shqipërinë një shembull në rajon për menaxhimin dhe zhvillimin e energjisë së rinovueshme.
Burimi ATSH



















