
Diskutohet në komision plani strategjik i Kuvendit të Shqipërisë 2026-2030
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën diskutoi sot projektvendimin “Për miratimin e planit strategjik të Kuvendit të Shqipërisë 2026-2030.”

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën diskutoi sot projektvendimin “Për miratimin e planit strategjik të Kuvendit të Shqipërisë 2026-2030.”
Të pranishëm ishin Elda Zenelaj, drejtore e Sekretariatit Teknik të KKIE dhe Besarta Vladi, drejtore e përgjithshme e Kërkimit Parlamentar.
Vladi u shpreh se draft-dokumenti strategjik është dokument i administratës së Kuvendit të Shqipërisë dhe orienton punën e administratës e cila është në bashkëpunim me të gjithë deputetët dhe komisionet duke shërbyer si udhëzuesi kryesor se kush do jetë prioriteti themelor i punës në pesë vitet e ardhshme.
“Dokumenti është hartuar me mbështetjen e OSBE. Ky dokument është udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Ky është dokumenti i dytë strategjik. Thelbi është të përcaktojë prioritetet e zhvillimit të Kuvendit të Shqipërisë për periudhën 2026-2030 duke synuar përkthimin në objektiva konkretë të asaj që është vizioni i Kuvendit. Jemi institucion transparent, gjithëpërfshirës dhe modern që ka rol kyç në forcimin e demokracisë dhe përshpejtimin e procesit të negociatave në BE”, u shpreh Besarta Vladi.
Projektvendimi në fjalë u relatua nga deputetja Briseida Çakërri, e cila gjatë fjalës së saj vlerësoi rëndësinë e draft-dokumentit strategjik dhe ftoi kolegët ta miratojnë atë.
Burimi ATSH



















