Beja: Bashkëpunimi me ekspertët europianë kyç për integrimin doganor në BE
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi sot një takim me delegacionin e Drejtorisë së Përgjithshme për Tatimet dhe Bashkimin Doganor në Komisionin Europian (DGTAXUD), me fokus vlerësimin e kapaciteteve të Administratës Doganore Shqiptare në kuadër të procesit të integrimit europian.

Beja theksoi rëndësinë e vizitës për të reflektuar mbi progresin e arritur dhe për të identifikuar hapat e mëtejshëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe modernizimit të administratës doganore.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi me ekspertët europianë mbetet thelbësor për përgatitjen e sistemit doganor shqiptar për sfidat e integrimit në Bashkimin Europian.
Në fokus të takimit ishin performanca e shërbimit doganor, mekanizmat për parandalimin e korrupsionit, transparenca dhe aksesueshmëria e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, si dhe digjitalizimi i proceseve doganore dhe projektet për modernizimin e mëtejshëm të sistemeve elektronike.
Beja vuri në dukje se këto iniciativa synojnë të rrisin efikasitetin, besueshmërinë dhe integrimin e Administratës Doganore Shqiptare në standardet europiane, duke e vendosur vendin në një pozicion të fortë për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe përmbushjen e kërkesave të BE-së.
Burimi ATSH