
Ferit Hoxha: Drejtimi i diplomacisë, përgjegjësi në një moment kaq të rëndësishëm
Ministri i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u betua sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në një ceremoni të posaçme të zhvilluar në Pallatin e Brigadave.

Ministri i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u betua sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në një ceremoni të posaçme të zhvilluar në Pallatin e Brigadave.
Pas ceremonisë së betimit, në një postim në rrjetin social X, Hoxha u shpreh se, “për dikë që ka shërbyer me devotshmëri për më shumë se tre dekada e gjysmë si nëpunës publik dhe si anëtar i Shërbimit të Jashtëm, nuk ka nder më të madh sesa ngjitja në përgjegjësinë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në një moment kaq të rëndësishëm për vendin tonë”.
Hoxha falënderoi kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj për besimin që i kanë dhënë.
Ai e cilësoi këtë detyrë një privilegj të madh por edhe detyrim të lartë ndaj shtetit dhe qytetarëve të Shqipërisë.
“Gjatë gjithë karrierës sime kam pasur nderin ta përfaqësoj flamurin kuq e zi në organizata ndërkombëtare dhe kryeqytete të rëndësishme, me bindjen e palëkundur se shërbimi ndaj vendit është detyra më e lartë e një nëpunësi publik”, theksoi Hoxha.
Ministri u shpreh se, kjo përvojë i ka dhënë mundësinë të shohë nga afër se sa shumë është rritur pesha dhe besueshmëria e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, dhe se zëri i Shqipërisë dëgjohet sot me më shumë respekt dhe vëmendje”.
“Së bashku me kolegët e mi në Shërbimin e Jashtëm dhe me të gjitha institucionet e përfshira në hartimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, do të vazhdojmë të punojmë për të përmbushur me dinjitet misionin tonë në shërbim të Republikës së Shqipërisë, duke jetësuar përparësitë e programit të qeverisë në politikën e jashtme, në zemër të të cilit qëndron pakthyeshëm procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, nënvizoi Hoxha.
“Me përkushtim, përgjegjësi dhe besim në potencialin e vendit tonë, të udhëhequr nga parimi themelor – interesi ynë kombëtar – do të punojmë që Shqipëria të jetë gjithnjë e më e respektuar, më e dëgjuar dhe më e suksesshme, në hapësirën euroatlantike dhe arenën globale”, përfundoi ministri Hoxha.
Burimi ATSH



















